Njeriu që kishte qenë peng dikur, Sir Terry Waite zbuloi kushtet e tmerrshme me të cilat mund të përballen viktimat e Hamasit në Gaza dhe ndau mesazhin e tij të shpresës me familjet e tyre.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, 84-vjeçari, i cili kaloi pothuajse pesë vjet në robëri pasi u rrëmbye nga terroristët islamikë në Liban, tha se pengjet që mbahen rob nga Hamasi do të duhet të gjejnë brenda vetes ‘burimet për të ruajtur shpresën’.
Duke folur për GB News, ai ndau përvojën e tij si peng i një organizate islamike në vitin 1987, ku duroi robërinë për 1763 ditë të tmerrshme.
Duke thënë fjalë ngushëllimi për familjet e dëshpëruara, Sir Terry tha: “Do të bëhet gjithçka që është e mundur për t’i çliruar ata. Dhe le të shpresojmë se mund të bëhet pa gjakderdhje të mëtejshme”.
Sir Terry tha se ai “nuk e kishte fare idenë se çfarë, nëse ndonjë gjë, po ndodhte në botën e jashtme”, duke dhënë një tregues të trajtimit që mund të pësonin pengjet e Hamasit.
Ai shtoi: “Thjesht duhet të gjesh disi brenda vetes burimet për të ruajtur shpresën dhe të thuash “Unë jam ende gjallë sot dhe jetoj për sot”.
Sir Terry u mor peng në Liban nga Organizata e Xhihadit Islamik (IJO) më 20 janar 1987, ndërsa po negocionte lirimin e një gazetari amerikan dhe një akademiku.
Gjatë negociatave, Sir Terry-t iu premtua një kalim i sigurt për të takuar pengjet, por JIO e theu premtimin dhe humanitari u kap pamëshirshëm në robëri ku do të kalonte katër vitet e para në izolim.
Më parë, humanitari kishte negociuar me sukses lirimin e disa pengjeve në Iran në vitin 1980, dhe madje negocioi drejtpërdrejt me diktatorin libian, kolonel Gaddafi, gjatë situatës së pengjeve libiane të vitit 1984, në mes të përplasjes midis Britanisë dhe Libisë.
Pas lirimit të tij në 1991, Sir Terry botoi kujtimet e tij më të shitura në vitin 1994, duke përshkruar përvojën e tij si një peng dhe themeloi një organizatë të quajtur “Hostage international”, e cila mbështet familjet e pengjeve. /Telegrafi/