Një pjesëtar i policisë së Kosovës ka mbetur i vrarë, ndërsa dy të tjerë, bashkë me një fëmijë, kanë mbetur të plagosur nga një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Zhur të Prizrenit.
Zyrtari policor, Sami Thaçi humbi jetën në krye të detyrës, gjatë një bastisjeje që po bëhej në një shtëpi nga Njësia e specializuar e Antidrogës, ndërsa edhe katër policë të tjerë janë dërguar për në Spitalin e Prizrenit për ndihmë mjekësore.
Njëri nga katër policët që u pranuan në Spitalin e Prizrenit, u transferua mbrëmë për në QKUK, pasi që gjendje e tij ishte e rëndë.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani tha se polici i plagosur mbrëmë në Zhur të Prizrenit, është transferuar për kujdes intensiv.
“E kemi transferu në klinikë, është në kujdesin intensiv, pasi e kemi pranuar dhe i kemi ofruar ndihmën e nevojshme”, tha shkurt Lenjani për Telegrafin.
Drejtori i Klinikës së Oftalmologjisë, Adem Miftari i cili e ka trajtuar policin e lënduar, ka thënë për Telegrafin se fatkeqësisht në njërin sy e ka humbur shikimin, ndërsa edhe tjetrin e ka në rrezik.
Miftari tha se kanë intervenuar dhe e kanë shëruar plagën, por përveç në sy, i lënduari ka edhe shumë probleme tjera, për çka edhe po trajtohet në Shërbimin Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Është referu ai rast në Klinikën e Oftalmologjisë, këtu nuk është i shtruar por kemi intervenuar. Pacienti dy sytë i ka të lënduar, njërin sy e ka të humbur, kemi intervenuar, e kemi shëruar plagën edhe tjetrin sy e ka rëndë, por ai përveç në sy ka edhe probleme tjera shëndetësore. Unë nuk mund të them se ka rrezik për jetën, por rasti është duke u trajtuar në Shërbimin Qendror Intensiv”, ka thënë Miftari.
Polici i lënduar mbrëmë në QKUK është nisur nga Spitali i Prizrenit, me shenja të jetës, por në gjendje mjaft të rënduar.
Kështu ishte shprehur mbrëmë për Telegrafin, Afrim Avdaj, drejtori i Spitalit të Prizrenit.
“Polici i parë i pranuar me lëndime të kokës të fytyrës dhe qafës, të krahut dhe para-krahut është dërguar në QKUK me gjendje të rënduar, me shenja vitale, por në gjendje të rënduar”, ishte shprehur Avdaj.
Ndërkaq, fëmija i lënduar dhe policët tjerë të pranuar në spitalin e Prizrenit janë jashtë rrezikut për jetë.
Ngjarja tragjike, ku polici Sami Thaçi humbi jetën, ka ndodhur të martën derisa njësitë e Policisë së Kosovës ishin duke kryer një aksion bastisje në një shtëpi në fshatin Zhur të Prizrenit. /Telegrafi/