Rusisë i mungon sasia e municioneve dhe trupave të nevojshme për të nisur një ofensivë të madhe në Ukrainë, ka thënë një zyrtar i lartë i NATO-s.
Zyrtari tha se Moskës do t’i duhet të sigurojë një furnizim të konsiderueshëm të municioneve nga vendet e tjera përtej rezervave që ka tashmë, për ta bërë këtë, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, ai paralajmëroi se Rusia do të jetë në gjendje ta mbajë ekonominë e saj në një bazë lufte edhe për disa vite të tjera.
Ai paralajmëroi gjithashtu se do të duhej “kohë”, përpara se Ukraina të mund të mblidhte municionet dhe ushtarët që i nevojiten për të kryer ofensivën e saj.
Rusia i ka inkurajuar njerëzit të regjistrohen për të luftuar në Ukrainë, duke u ofruar atyre paga shumë mbi mesataren.
Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev tha së fundmi, se gati 200 mijë rekrutë kishin nënshkruar kontrata në vitin 2024 deri më tani. /Telegrafi/