Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Albert Spahiu, ka thënë që nga vendosja e tarifës 100 për qind, Serbia ka eksportuar 430 milionë euro mallra më pakë në drejtim të vendit tonë.
Berisha ka shpjeguar se importi i mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është zëvendësuar nga vendet e rajonit apo të Bashkimit Evropian.
“Dogana që me marrjen e vendimit e ka zbatuar 100 për qind, jemi të obliguar ta zbatojmë. Fillimisht në fund vitin e kaluar ka ndikuar pak në të hyrat doganore, për arsye deri sa është stabilizuar komuniteti i biznesit, pra kanalet e reja të biznesit, furnizimet e reja. Nëse marrim vitin 2019, kjo nuk ka ndikuar për arsye se importi i atyre produkteve të cilat kanë ardhur nga këto dy vende janë zëvendësuar nga vendet e rajonit apo qoftë nga vendet tjera të BE-së”, shpjegon Berisha.
Ai thotë se Serbia pas vendosjes së tarifës ka importuar 99 për qind më pak mallra në drejtim të Kosovës.
“Në këtë vit, deri sa po flasim, nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ku nuk kanë qenë masat në fuqi, ne kemi diku 367 milionë euro më pakë import nga Serbia për këta dhjetëmujorë të këtij viti, nëse kësaj ia shtojmë edhe 62 milionë euro që ka qenë në fund të vitit [2018] tregon se jemi diku 430 milionë euro vlerë të importit më pakë. Nëse e kthejmë në përqindje, kjo tregon se diku jemi 99 për qind kemi pasur më pak import nga Serbia. E njëjta vlen edhe me Bosnjën e Hercegovinën, ku në baza vjetore ka qenë rreth 80 milionë euro që është importuar, deri sa do të thotë se për këta dhjetë muaj i kemi 65 milionë euro më pakë importe, ose mund të themi se i kemi vetëm dy milionë import, apo për dhjetë muaj i kemi pasur vetëm tre milionë nga Bosnja e Hercegovina”, thotë ai.
I pari i Doganës, ka treguar se me vendosjen e tarifës 100 për qind, është nxitur kontrabanda për importin e produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por sipas tij, kjo është parandaluar.
“Vetë fakti i vendosjes së masave mbrojtëse 100 për qind, i ka nxitur disa grupe kriminale që të kontrabandën produkte. Mirëpo, si përgjigje ndaj këtyre Dogana në bashkëpunim me institucionet tjera të zbatimit të ligjit, konkretisht me Policinë e Kosovës dhe Administratën Tatimore, menjëherë ka përpiluar planet operative në fokus me zonat me rrezik të lartë, të cilat kanë qenë potencialisht të mundshme që këto produkte të futen përmes rrugëve malore. Kemi pasur rezultate konkrete, ku kemi ndalur me qindra raste për futjen e mallrave përmes rrugëve të paautorizuara në tregun e Kosovës”, ka treguar Berisha.
Në këtë intervistë, po ashtu Bahri Berisha ka folur për ekonominë informale, kontrabandën dhe të arriturat e Doganës së Kosovës. /Telegrafi/