Site icon Telegrafi

Një vit nga deportimi i gjashtë shtetasve turq, ende asnjë person i akuzuar nga ana e Prokurorisë

Deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi një vit më parë, nxiti reagime të shumta. Mënyra sesi u realizua operacioni për deportimin e tyre u tha se ishte shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Madje Komisioni hetimor parlamentar ka konstatuar se gjatë deportimit të gjashtë shtetasve turq të njohur si rasti i gylenistëve, janë bërë 31 shkelje ligjore.

Lexo po ashtu Hetimet për deportimin e gylenistëve në udhëkryq

Derisa për Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina është përgatitur aktakuzë nga Byroja e Terrorizmit dhe Krimeve të Organizuara e Prokurorisë Republikane të Stambollit, autoritetet e vendit kanë dështuar që të akuzojnë ata persona që qëndrojnë prapa atij organizimi.

Urim Vokshi, avokat i rastit ka thënë për Telegrafin se ende nuk kanë asnjë raport nga ana e Prokurorisë lidhur me procesin e hetimeve se deri ku ka arritur.

“Komisioni hetimor parlamentar tashmë ka bërë të ditur një pjesë të shkeljeve ligjore që kanë ndodhur me këtë rast. Megjithatë në lidhje me raportin hetimor të Prokurorisë nuk ka ende ndonjë sqarim konkret se ku jemi me procedurën e hetimeve nga Prokuroria. Të njëjtit kanë deklaruar se janë në fazën fillestare të hetimeve, mirëpo tashmë kanë kaluar më shumë se një vit dhe ende nuk e dimë nëse e kanë marrë në pyetje dikë”, ka thënë Vokshi.

Lexo po ashtu Komisioni hetimor për deportimin e turqve me raport të plotë, evidentohen 31 shkelje

Vokshi tutje ka shtuar se beson që Prokuroria së shpejti do të ngris aktakuzë ndaj personave të përfshirë në këtë rast.

“Raporti i komisionit parlamentar i ka nxjerrë një pjesë të shkeljeve në raport me deklaratat që kanë dhënë disa persona, mendoj që prokuroria së shpejti do të ngritë edhe aktakuzë ndaj personave që kanë qenë të përfshirë në këtë rast të shkeljeve ligjore dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë Vokshi.

Lexo po ashtu Komisioni hetimor për dëbimin e shtetasve turq dorëzon raportin në Prokurori

Lidhur me këtë rast, së fundmi ka pasur edhe një reagim të ashpër nga ambasadat e SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë dhe ajo e Turqisë në Kosovë, të cilat reaguan për mosmarrjen e masave adekuate ligjore ndaj institucioneve përgjegjëse për dëbimin e gjashtë shtetasve turq.

Kujtojmë se pas incidentit që ndodhi më 29 mars 2018, kryeministri Ramush Haradinaj pati liruar nga detyra Driton Gashin, atëkohë shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, të cilët, më pas kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq në fundin e marsit të vitit të kaluar, është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. /Telegrafi/

Exit mobile version