Duke ndjekur hapat e Benny Gantz, një tjetër anëtar i Kabinetit të Luftës së Izraelit ka dhënë dorëheqje.
Gadi Eisenkot tha se vendimet janë marrë nga qeveria të cilat “jo domosdoshmërisht nxiten nga konsiderata kombëtare dhe e mira e vendit”.
Ashtu si Gantz, Eisenkot është përplasur në mënyrë të përsëritur me anëtarët nacionalistë fetarë të qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahut, të cilët me vendosmëri janë shprehur kundër çdo zgjidhjeje politike me palestinezët.
“Është koha që ne t’i japim fund detyrave tona dhe të largohemi nga qeveria, duke besuar se në këtë mënyrë do t’u shërbejmë me besnikëri qytetarëve të Izraelit”, tha ish-shefi i Forcave të Mbrojtjes të Izraeli, shkruan skynews.
“Megjithë përpjekjet e mia të shumta, së bashku me ato të kolegëve të mi, kabineti i kryesuar nga ju ka shmangur për një kohë të gjatë marrjen e vendimeve vendimtare”, tha ai në një letër drejtuar Netanyahut.
Sipas tij, kjo shmangie dëmton situatën strategjike dhe sigurinë kombëtare të shtetit të Izraelit.
Ndryshe, Eisenkot shërbeu si vëzhgues në kabinet dhe ishte ministër i partisë së Unitetit Kombëtar.
Lideri i opozitës izraelit, Yair Lapid, reagoi ndaj dy dorëheqjeve.
“Vendimi i Gantz dhe Eisenkot për t’u larguar nga qeveria e dështuar është i rëndësishëm dhe i drejtë”, tha ai.
“Ka ardhur koha për të zëvendësuar këtë qeveri ekstreme me një qeveri të arsyeshme që do të çojë në kthimin e sigurisë për qytetarët e Izraelit, në kthimin e pengjeve, në rivendosjen e ekonomisë dhe statusit ndërkombëtar të Izraelit”, shtoi Lapid. /Telegrafi/