Telegrafi

Një tërmet me magnitudë 4.9 godet Kaliforninë Jugore – mediat sjellin detajet e para

Një tërmet me magnitudë 4.9 i ndjekur nga disa pasgoditje të forta tronditi Kaliforninë Jugore të hënën herët pasdite (sipas kohës lokale).

Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, tërmeti goditi në orën 13:00, me epiqendër afërsisht 13 milje në verilindje të Barstow në San Bernardino, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ndikimi u ndje në një zonë të gjerë të Kalifornisë Jugore.

USGS fillimisht e vlerësoi tërmetin me magnitudë 5.1, por shpejt e uli atë në 4.9. Ajo u pasua nga disa pasgoditje me magnitudë 3.5 dhe 2.7.

Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme apo lëndime por Shane Hernandez nga Patrulla e Autostradave të Kalifornisë, tha se oficerët po inspektonin infrastrukturën kryesore, duke përfshirë urat dhe mbikalimet.

Mijëra tërmete thuhet se regjistrohen në Kaliforni çdo vit, por shumica dërrmuese janë “jashtëzakonisht të lehta”.

Sipas USGS, vetëm disa qindra janë më të fuqishëm se magnituda 3.0 dhe vetëm rreth 15 deri në 20 janë më shumë se me magnitudë 4.0.

Në Shtetet e Bashkuara kontinentale, vetëm Alaska regjistron më shumë tërmete në vit sesa Kalifornia. /Telegrafi/