Site icon Telegrafi

Një person tentoi të fusë lëndë narkotike në burgun e Dubravës, arrestohet nga policia, Nikçi: Ky është rasti i tretë në dy muajt e fundit që kemi identifiku

Foto: Ilustrim

Një person nga Drenasi është arrestuar pasi ka tentuar të fusë lëndë narkotike në Qendrën Korrektuese në Dubravë në fillim të muajit mars të këtij viti.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Sipas tij, të dyshuarit i është bastisur shtëpia me ç’rast është sekuestruar automjeti i cili dyshohet që është përdor që të kryhet kjo vepër penale.

“Para disa kohësh një person ka tentuar të fus narkotik në burgun e Dubravës, dhe pas veprimeve intensive të prokurorit të shtetit bashkë me Policinë e Kosovës me njësitë përkatëse është arrit të identifikohet personi që ka shitur lëndët narkotike dhe më pas është bastis shtëpia e tij.

Gjatë bastisjes është sekuestruar automjeti me të cilën dyshohet që është përdor që të kryhet kjo vepër penale, në kuadër të këtyre veprimeve në luftimin e narkotikëve, e posaçërisht me futjen e tyre Qendrën Korrektuese në Dubravë”, ka thënë ai.

Nikçi theksoi se të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Prokurori i shtetit ka përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij”, ka thënë Nikçi.

Tutje zëdhënësi i prokurorisë në Pejë tha se ky është rasti i tretë në dy muajt e fundit që kanë arrit të identifikojnë personat për shitje të narkotikëve.

“Kemi pas dhe një rast tjetër ku kemi identifiku dhe arrestu dhe një person i cili ka arrit që të fusë në një kamion të një kompanie e cila është e kontraktuar për të kryer shërbime në burgun e Dubravës, ku pas një pune intensive është arrit që personi të identifikohet dhe të arrestohet”, ka thënë Nikçi.

Po ashtu edhe në raport të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti është cilësuar si “Posedim i substancave narkotike”.

“Qendra Korrektuese Dubravë 04.03.2023 – 14:25. Në vazhdën e hetimeve me urdhëresë të gjykatës është kryer kontroll tek i dyshuari mashkull kosovar në Gllogoc si dhe është sekuestruar vetura e të dyshuarit. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit në prani të avokatit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport të policisë. /Telegrafi/

Exit mobile version