Telegrafi

Një pemë përfshihet nga flakët jashtë xhamisë al-Aqsa të Jerusalemit – detajet dhe pamjet nga vendi i ngjarjes

Një pemë u përfshi nga flakët jashtë xhamisë al-Aqsa të Jerusalemit të hënën, por zjarri u shua shpejt dhe nuk u shkaktuan dëme në xhami.

Tensioni ka qenë i lartë në Jerusalem dhe dëshmitarët ofruan dëshmi kontradiktore nëse flakët ishin shkaktuar nga palestinezët që kishin hedhur fishekzjarre ndaj policisë ose nga një granatë policie izraelite.

Lexo po ashtu Situatë e rënduar në Gaza, nuk mungojnë as sulmet ajrore me raketa – raportohet për disa të vdekur, përfshirë edhe fëmijë

Ndërkohë, sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, policia izraelite tha në një deklaratë zjarri u ndez nga fishekzjarret.

Një zëdhënës nuk tha nëse oficerët kishin hedhur “granata marramendëse” në atë kohë.

Pema ishte rreth 10 metra larg xhamisë, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit.

Ndryshe, policia izraelite dhe palestinezët ishin përplasur jashtë xhamisë më herët gjatë ditës, por skena ishte relativisht e qetë pasi u shua zjarri, me njerëzit që u kthyen në lutje.

Ndërkohë mediat kanë raportuar se Izraeli ka filluar sulme ajrore kundër caqeve të militantëve në Rripin e Gazës, pasi disa raketa qëlluan drejt Jerusalemit.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Ministria palestineze e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se 20 vetë, përfshirë fëmijë, kishin vdekur nga sulmet.

Vetëm ditët e fundit është parë dhuna më e rëndë në Jerusalem për vite me radhë, me më shumë se 300 palestinezë të plagosur në konfrontime me policinë izraelite jashtë xhamisë al-Aqsa. /Telegrafi/