Site icon Telegrafi

Një palestinez qëllohet nga një snajper izraelit – një ushtar pastaj dëgjohet duke festuar (Video,+18)

Në një video të transmetuar të hënën, përcjell Telegrafi, tre burra janë parë pranë një pengese ose gardhi. Derisa dëgjohen të shtënat, njëri prej burrave, i cili ishte duke qëndruar në këmbë dhe dukej se ishte i paarmatosur, bie në tokë.

Një zë dëgjohet duke folur me zell në hebraisht: “Wow, çfarë videoje! Po! Bir kurve! Çfarë video!”. Pastaj, një turmë njerëzish shihen duke nxituar për ta rimarrë atë që ishte qëlluar. Gjendja e tij nuk është e qartë.

Në një deklaratë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se incidenti kishte ndodhur më 22 dhjetor 2017, në zonën e komunitetit izraelit të Kissufimit, afër kufirit me Gazën.

Ata kanë thënë se videoja “përshkruan një pjesë të shkurtër të reagimit ndaj një trazire të dhunshme” dhe “një plumb i vetëm” është qëlluar pasi përpjekjet e tjera për të ndaluar dhunën kishin dështuar.

Deklarata nuk komentoi veprimin e snajperit, por tha se “filmimi i paautorizuar” nga një ushtar tjetër dhe shpërndarja e pamjeve dhe komenteve të dëgjuara “nuk i përshtaten shkallës së përmbajtjes që pritet nga ushtarët e IDF-së”.

Siç është thënë më tej, përcjell Telegrafi, me çështjen do të “merren me komandantët në përputhje me rrethanat”.

Ndërkohë, siç raportojnë mediat, ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka thënë se një snajper izraelit që qëlloi me plumb një palestinez përtej kufirit në Gaza, në një video të diskutueshme “meriton një medalje”.

Pamjet e incidentit, në të cilin një ushtar izraelit shpreh gëzim, gjithashtu kanë provokuar dënim nga politikanët dhe grupet e të drejtave të njeriut.

Siç shkruajnë tutje mediat e huaja, ushtria izraelite tha se njeriu që u qëllua kishte orkestruar një trazirë dhe ai u godit në këmbë. /Telegrafi/

Exit mobile version