Marco Reus mund të largohet nga Borussia Dortmund pas 11 viteve qëndrim në klubin e tij të zemrës.
Mesfushori gjerman është futur në vitin e fundit të kontratës me verdhezinjtë dhe në verë mund të largohet.
34-vjeçari gjatë karrierës së tij ka refuzuar oferta nga klubet më të mëdha evropiane për t’i qëndruar besnik Dortmundit dhe tani mund të largohet.
Mediat gjermane kanë raportuar se emri i Reus është rikthyer në listën e dëshirave të klubeve arabe që duan ikonën e futbollit gjerman ta transferojnë në kampionatin e tyre.
Bëhet fjalë për tre klube që kanë shprehur interesim për shërbimet e tij si Al-Hilal, Al Ettifaq dhe Al Ittihad që duan transferimin e mesfushorit ofensivë.
Kontaktet e para me agjentët e futbollistit janë aty dhe bëhet fjalë për një ofertë dy vjeçare me pagë vjetore prej 20 milionë eurove në vit.
Duke marrë parasysh që kontrata e tij skadon më 30 qershor, Reus mund të nënshkruajë para kontratë me klubin e ardhshëm që nga janari.
Mbetet të shihet nëse gjermani do të pranojë propozimin për të vazhduar karrierën në elitën e futbollit arab apo do t’i jap fund karrierës së tij te Borussia Dortmund. /Telegrafi/