Ushtria polake ka raportuar për shkeljen e hapësirës ajrore të vendit të tyre gjatë sulmit me raketa-drone ruse kundër Ukrainës në mëngjesin e 26 gushtit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Komanda operative e Forcave të Armatosura të Polonisë deklaroi se gjatë sulmit ajror rus në mëngjes në qytetet ukrainase, një “objekt ajror” hyri në territorin polak pranë qytetit ukrainas të Chervonohrad dhe se ky objekt ishte një raketë.
Njoftimi u bë në orën 13:00 me orën polake.
Gjenerali Maciej Klisz raportoi se ka të ngjarë të bëhej fjalë për dronin i cili ishte ende në kërkim në territorin polak.
Ai supozoi se droni mund të kishte rënë pranë qytetit të Tyszowice që ndodhet në anën polake, pranë vendbanimeve ukrainase të Chervonohrad dhe Sokol.
Qyteti thuhet se ndodhet rreth 30 kilometra larg kufirit polako-ukrainas.
Për një lajm të tillë ka shkruar edhe mediumi prestigjioz britanik, Sky News.
Sipas këtij mediumi, një “objekt ushtarak” hyri në hapësirën ajrore polake gjatë sulmit rus në Ukrainë këtë mëngjes, kanë pohuar raportet.
Ai vjen në kohën e sulmit më të madh rus në Ukrainë në disa javë, me Moskën që synon infrastrukturën energjetike në tri rajone.
Agjencia shtetërore polake e lajmeve, PAP, raportoi se kërkimet për objektin, i cili nuk ishte një raketë, janë duke u zhvilluar. /Telegrafi/