Albi Mall Superliga e Kosovës do të startojë këtë javë me ndeshjet e xhiros së parë për sezonin 2024/25.
Por në xhiron e parë do të zhvillohen vetëm katër duele nga pesë sa ishin paraparë, pasi një ndeshje është shtyrë.
Drita dhe Malisheva do të luhet në një datë tjetër pasi klubi gjilanas ka bërë kërkesë për shtyrjen e ndeshjes për faktin se do të ketë një udhëtim të largët në Letoni në kuadër të kualifikueseve për Ligën e Evropës.
Në xhiron e parë do të ketë një derbi ku takohen Llapi dhe Gjilani që do të përballen në Zahir Pajaziti të shtunën e 10 gushtit.
Të njëjtën ditë takohen edhe Ferizaj dhe Feronikeli ’74.
Për të dielën janë dy ndeshje të tjera në program për tu zhvilluar.
Kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani përballet me Dukagjinin e Klinës, derisa Prishtina është nikoqir i Suharekës. /Telegrafi/