Gjykata Themelore e Pejës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për tre persona të dyshuar, të cilët u arrestuan të dielën nga Policia e Kosovës në Manastirin e Deçanit.
Ata dyshohen se kanë shkruar në tabelat e një veture mesazhin “Kosova është Serbi”.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, bëri të ditur se të dyshuarit po hetohen për veprën penale të “nxitjes së urrejtjes”.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se vetura është vërejtur gjatë një feste ortodokse në Manastirin e Deçanit.
“Policia ka hasur në një parking një veturë me targa të Malit të Zi, ku ishte e shënuar ‘Kosova është Serbi’. Pas identifikimit të të dyshuarve dhe një pune intensive, policia ka arrestuar tre persona, të cilët janë intervistuar dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë”, deklaroi Gashi./Telegrafi/