Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.K. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”.
Të pandehurit S.K. gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri S.K. mund t’i asgjësojë, fsheh, ndryshoj apo falsifikoj provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarët, të cilët janë familjarë të të pandehurit.
Po ashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, tregon rrezik se nëse i pandehuri do të gjendet në liri ekziston rreziku se do të pengohet rrjedha e procedurës penale”, thuhet në njoftim.
I pandehuri S.K. dyshohet se më datë 27.01.2021 rreth orës 17:00, në parkingun e ndërtesës ku edhe ka banuar, nga motive ende të panjohura deri më tani ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin A.K. dhe si pasojë e plagëve të marra i ndjeri A.K ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/