Telegrafi

Një muaj paraburgim ndaj shoferit që goditi me veturë dy të mitur në Pejë

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh shoferit, i cili dyshohet se të dielën goditi me veturë dy fëmijë në qytetin e Pejës.

Lajmin e ka konfirmuar prokurori i rastit Dorjan Juniku.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se shoferi ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe se i njëjti është recidivist i disa veprave penale.

Lexo po ashtu Pamje nga momenti kur vetura "hedh në ajër" dy të mitur në Pejë

“Është dorëzuar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. I njëjti ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe është recidivist i disa veprave penale”, kishte konfirmuar Nikçi.

Ndërsa, njëri nga të miturit e aksidentuar po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kurse tjetri në Spitalin e Pejës.