Telegrafi

Një muaj paraburgim ndaj policit të dyshuar se plagosi një serb në veri, tre të tjerët në arrest shtëpiak

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur në lidhje me kërkesën e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër policëve të arrestuar më 11 prill 2023, lidhur me plagosjen e një qytetari serb në veri të Kosovës.

Vendimi është marrë të enjten nga gjyqtari i procedurës paraprake i kësaj gjykate.

Ndaj të akuzuarit K.P. është caktuar masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, pasi i njëjti dyshohet për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “manipulimi me prova”.

Kurse, ndaj tre të dyshuarve të tjerë për veprën penale “moslajmërim i veprës penale”, S.U., F.M. dhe M.M. është caktuar masa e arrestit shtëpiak në afat prej 30 ditësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) më 11 prill 2023 ka njoftuar se janë arrestuar katër zyrtarët policorë që dyshohet se janë përfshirë në plagosjen e një serbi në veri të Kosovës të hënën.

Njëri nga zyrtarët policor dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë” dhe manipulim me prova, ndërsa tre policët e tjerë, po ashtu, dyshohen se kanë kryer veprën penale “moslajmërim i veprës penale”.

Fillimisht, Policia e Kosovës kishte hedhur poshtë raportimet se zyrtarë policorë të këtij institucioni e kanë sulmuar me armë zjarri një banor të komunitetit serb në veri. Por, më vonë Policia e kishte pranuar se katër policë ishin përfshirë në këtë rast.

Lexo po ashtu Plagosja në veri, suspendohen katër zyrtarë policorë - njëri dyshohet se gjuajti me armë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte thënë se kanë nisur hetimet derisa kishte përshkruar se rasti i plagosjes së M.J kishte ndodhur pasi ky i fundit nuk e kishte ndalur veturën dhe pastaj zyrtari policor kishte shtënë në drejtim të veturës.

Me vendim të prokurorit atyre iu ishte caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.

“… Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara deri më tani janë suspenduar katër zyrtarë policorë , ndaj tre zyrtarëve që nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me prokurorinë hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes katër zyrtarë policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale “mos lajmërim i veprës penale” dhe njëri nga ta është i dyshuar për veprën penale “vrasje – në tentativë”, kishte njoftuar  Inspektorati Policor i Kosovës