Musa Damati, avokat mbrojtës i Kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Uniteti” në Mitrovicë, Gazmend Morina, ka konfirmuar për Telegrafin se klientit të tij i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30-ditësh.
“Në cilësinë e avokatit të kryeshefit ekzekutiv, ju konfirmoj se sot është mbajtur seanca dëgjimore dhe klientit tim i është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej 30-ditëve”, tha ai.
Avokati Demati, tha se këtë masë do ta kundërshtojnë përmes një ankese në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
Ndryshe, Gazmend Morina është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës, nën dyshimin e “keqpërdorimit të pozitës zyrtare”.
Për arrestimin e Gazmend Morinës, ka reaguar edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Ai ka apeluar tek organet e drejtësisë që ta kryejnë punën e tyre pa u ndikuar nga politika dhe nga interesat e caktuara partiake./Telegrafi/