Telegrafi

Një mbrëmje për t’u harruar për portierin e Villlarrealit, Rulli me rekord gabimesh këtë sezon

(Foto: Screenshot/Twitter/MailOnline)

Portieri i Villarrealit, Geronimo Rulli, ishte fajtor në të tre golat që i pranoi skuadra e tij në humbjen nga Liverpooli në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Nëndetësja e Verdhë zhvilloi një gjysmë të parë të mrekullueshme duke realizuar dy herë përmes Boulaye Dia (3’) e Francis Coquelin (41’), mirëpo Redsat përmbysën gjithçka në fraksionin e dytë.

Rulli ka bërë më së shumti gabime se cilido lojtar tjetër – tre sosh – që kanë çuar në gol në sezonin 2021/2022 në Ligën e Kampionëve (vetëm në këtë ndeshje zyrtarisht në statistika i janë numëruar dy gabime).

Njëherësh, ai është portieri i parë që bën dy e më shumë gabime brenda një ndeshjeje të vetme në fazën e eliminimit direkt të garës më të madhe evropiane për klube që nga Loris Karius në finalen e vitit 2018.

Lexo po ashtu Notat e lojtarëve: Villarreal 2-3 Liverpool, zhgënjen portieri Rulli

Gabimi i parë i argjentinasit erdhi në golin e Fabinhos, kur mesfushori brazilian i shënoi gol nën këmbë nga një pozitë e vështirë (62’).

(Foto: Screenshot/Twitter/MailOnline Sport)

Pak minuta më pas (67’), Luis Diaz realizoi me kokë, ndërsa përsëri topi hyri në mes të këmbëve të portierit.

Lexo po ashtu Me një përmbysje sensacionale ndaj Villarrealit, Liverpooli kualifikohet në finalen e madhe

Dhe në fund, Sadio Mane pranoi një top të gjatë, derisa dalja e Rullit ishte e gabuar, ashtu që senegalezi e kaloi me lehtësi portierin dhe mbrojtësin për golin e nokautit. /Telegrafi/