Site icon Telegrafi

Një koncert divash shqiptare më 16 maj në Pallatin e Kongreseve: Irma, Rovena, Eneda dhe Besa gati për të shkëlqyer

Rovena Dilo, Irma Libohova, Eneda arfia e Besa Kokëdhima së bashku me koncert recital më 16 maj (Foto: Besa/Instagram)

Shumë prej fansave të muzikës shqiptare kanë pasur mundësinë që përmes rrjeteve sociale të njoftohen për një mega koncert që pritet të mbahet më 16 maj në Pallatin e Kongreseve.

Koncerti është quajtur “Divat”, ngase në të do të performojnë plot katër këngëtare të njohura: Irma Libohova, Rovena Dilo, Eneda Tarifa dhe Besa Kokëdhima.

Për këtë spektakël gjigant janë angazhuar shumë njerëz, e ndërsa në një bisedë për Telegrafin, koordinatorja e këtij koncerti, Uarda Koçi, ka zbuluar detajet e kësaj mbrëmje magjike”

“Më datë 16 maj (e mërkurë) në orën 20:00 do te mbahet nata e parë, shpresojmë jo e fundit e projektit “Divat”, me këngëtaret: Irma Libohova, Rovena Dilo, Eneda Tarifa e Besa Kokëdhima. Arsyeja pse nisi ky projekt ishte si një kërkesë le të themi dhe një domosdoshmëri e jetës artistike në Tiranë, që fatmirësisht ka pasur një zhvillim të konsiderueshëm këto dy vitet e fundit. Menduam që këtyre emrave të muzikës shqiptare, u ka ardhur koha tashmë që të celebrojnë karrierën e tyre, jo për ta mbyllur, po le të themi të jemi që të jetë si pikë kulmore e karrierës për të katërta vajzat. Sigurisht që Irma i përket një gjenerate më të vjetër se këto të tjerat, por ndërkohë Rovena përfaqëson një tjetër 10 vjeçar, dhe Besa me Enedën pastaj janë vajzat e të njëjtës dekadë, ku këngët e tyre kanë po aq vlera sa këngët e Irmës dhe Rovenës. Nisi ky projekt për të mos qenë i fundit, pra “Divat” do të jetë një projekt që do të gjenerojë pas dy vitesh kam përshtypjen një katërshe tjetër këngëtarësh, të cilat edhe ato do të japin më të mirën e karrierës së tyre. Kjo pak a shumë ishte ideja për këtë projekt”, ka thënë Uarda për Telegrafin.

Uarda Koçi, koordinatore e spektaklit “Diva Show” (Foto: Uarda Koçi/Facebook)

Në vazhdimin e bisedës, ajo tregoi për repertoarin e kësaj mbrëmje, i cili do të jetë një miks këngësh të katër këngëtareve ndër vite.

“Në qoftë se ka një gjë interesante që ky projekt ka, është fakti sepse nuk është thjeshtë një koncert, por është një spektakël në vetvete, i përbërë nga shumë elementë koreografikë (zjarr në skenë, performanca nga ajri, unaza etj), që ndërlidhen me të gjitha këngët e vajzave. Në total, do të jenë 25 këngë që do të këndohet, do të ketë këngë ‘single’, duet, trio por edhe katërshe. Këngët më të mira të gjithësecilës do të këndohen nga të katërta vajzat, kjo për të treguar që këngët e Irmës mund t’i këndojë edhe një këngëtare e re si Besa, por edhe një moshatare e saj si Rovena. Të gjitha këngët janë të ri-orkestruara, surprizat janë të jashtëzakonshme, nuk po them se cila prej këngëve, por duhet nënvizuar fakti që këngët po ndërrojnë edhe ngjyrimin e tyre fillestar, pra një këngë që ne mund ta kemi dëgjuar në festivalin e RTSH-së, tani mund ta dëgjojmë në një formë tjetër (në stilin rock, jazz, apo edhe simfonike e gjitha)”, tregon tutje koordinatorja Koçi.

Besa Kokëdhima do të jetë njëra ndër artistet performuese të “Diva Show” (Foto: Besa/Instagram)

Mbrëmja muzikore do të jetë e gjitha live, dhe për këtë janë angazhuar një orkestër gjigante, kështu ka pohuar edhe vet Koci në vazhdimin e bisedës.

“Patjetër që vlerat muzikor do të jenë në majat e tyre, që përkthehen në një orkestër simfonike me 50 persona, së bashku me dirigjentin. Absolutisht që gjithçka do të jetë shumë ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim deri më tani në një koncert recital, sepse ky është një show, jo vetëm një koncert. Kemi një intro mbresëlënëse, ku vajzat do të shpalosin një anë tjetër të tyre të pazbuluar. Provat kanë filluar me udhëheqësin artistik, Elton Deda”, tregon tutje ajo.

Por, a do të ketë të ftuar të tjerë VIP në këtë koncert?

“Duke qenë një spektakël divash, normalisht nuk ka qenë e nevojshme përfshirja e këngëtarëve të tjerë në skenë. Natyrisht që të gjithë kolegët e tyre do të jenë të ftuar për të parë nga afër këtë spektakël”.

Ku mund t’i gjejnë fansat biletat për këtë koncert?

“Ne si kompani e cila sjellim vazhdimisht risi në projektet që realizojmë, i kemi bërë biletat të aksesueshme nga të gjitha trevat e Shqipërisë nëpërmjet “Pentagram.Al”, secili mund të blejë biletën e tij duke zgjedhur karrigen e tij përkatëse. Mund ta blejnë edhe fizikisht në të gjitha pikat e shitjeve. Ka ende bileta në dispozicion, por për të zgjedhur më të mirat, njerëzit duhet të nxitojnë, nëse duan të beljnë ato më të afërtat me skenën”, ka thënë tutje koordinatorja.

Rovena Dilo, Irma Libohova e Eneda Tarifa do të jenë gjithashtu artistet që do të performojnë në “Diva Show” (Foto: Rovena Dilo/Instagram)

Në përfundimin e bisedës, ajo zbuloi pak detaje nga skenografia, e cila për një spektakël si ky i divave, do të jetë gjigante.

“Në lidhje me skenografinë, kemi preferuar që ta mbajmë befasi deri diku, por mund të zbulojmë faktin që “Divat” do të interpretojnë në një bulevard divash, bulevard që mund të ngjasojë Las Vegasit apo çdo qyteti tjetër të famshëm në botë”, ka përfunduar Koci.

Mbetet të shihet se çfarë spektakli do të dhurojnë “Divat” më 16 maj, në Pallatin e Kongreseve. /Telegrafi/

Pallati i Kongreseve, vendi ku do të mbahet koncerti “Diva Show” më 16 maj
Exit mobile version