Site icon Telegrafi

Një javë nga sulmi terrorist në Banjskë, Sveçla e Hoxha do t’i drejtohen opinionit nga Mitrovica  

Sot janë bërë një javë nga sulmi terrorist që ndodhi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku për pasojë mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos zyrtari tjetër policor, Alban Rashiti.

Të dielën e 24 shtatorit gjithashtu të vrarë mbeten edhe tre nga sulmuesit.

Lidhur me zhvillimet që ndodhën atje, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha do të mbajnë sot një konferencë për media.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin nga Policia e Kosovës, ku është thënë se konferenca do të nis në orën 15:00.

“Referuar zhvillimeve të datës 24 shtator 2023 në veri të Republikës së Kosovës, gjegjësisht në fshatin Banjskë, Policia e Republikës së Kosovës (PK) organizon konferencën e radhës për media, cila do të mbahet sot në ora 15:00. Në këtë konferencë pritet të marrin pjesë Ministri i Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i PK-së Kolonel Gazmend Hoxha”, thuhet në njoftim.

Konferenca do të mbahet në drejtorinë rajonale të policisë në Mitrovicë. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version