Festivali i Filmit në Kanë po vazhdon me programin e tij teksa nisi më 17 maj dhe do të zgjasë deri më 28 maj.
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur së fundmi ku një protestuese thuajse tërësisht e zhveshur u desh të largohej nga tapeti i kuq të premten, pasi protestoi kundër dhunës seksuale ndaj grave në Ukrainë.
Hollywood Reporter raportoi se gruaja hoqi të gjitha rrobat duke rënë në gjunjë e duke bërtitur para fotografëve të mbledhur, sipas dëshmitarëve okularë.
Rojet e sigurisë u panë duke nxituar drejt saj dhe duke e mbuluar me një pallto.
Ajo kishte bërë një shkrim mbi trupin e saj me ngjyrat e flamurit të Ukrainës dhe me fjalët ‘Mjaft na përdhunuat’.
Gruaja gjithashtu dukej se kishte ngjyrë të kuqe gjaku në pjesën e poshtme të shpinës dhe këmbëve.
Sipas mediave, incidenti ndodhi në tapetin e kuq në premierën e filmit “Three Thousand Years of Longing” të George Miller, me aktorë Idris Elba dhe Tilda Swinton.
Regjisori dhe yjet ishin të pranishëm kur ndodhi ngjarja.
Që nga fillimi i operacionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, ka pasur raportime të shumta të ushtarëve rusë që kanë dhunuar civilë ukrainas, sipas Hollywood Reporter.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në anën tjetër kishte bërë një fjalim emocionues në ceremoninë e hapjes së edicionit të 75-të të Festivalit të Filmit në Kanë përmes një video-telefonate. /Telegrafi/