Telegrafi

Një garazh “po u jep makinave të dëmtuara një mundësi të dytë” si mjete të gatshme për betejë për ushtrinë e Ukrainës

Një garazh makinash në Kiev “po u jep makinave të dëmtuara një mundësi të dytë” si mjete të gatshme për betejë për ushtrinë e Ukrainës, duke u përpjekur të mbulojë një boshllëk furnizimi ndërsa lufta me Rusinë po vazhdon.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ajo më parë ishte e specializuar në riparimet e veturave të aksidentuara, por kjo ndryshoi pasi Rusia filloi agresionin në shkurt dhe vullnetarët arritën të përgatitnin automjete për t’i dërguar në front.

Tani mekanikët e saj kalojnë ditë të gjata duke punuar në kamionë dhe autobusë të kërkuar nga ushtria për detyra duke përfshirë transportin e armëve dhe dronëve.

“Ne nuk jemi një vend i pasur dhe shteti nuk mund t’u sigurojë të gjithë ushtarëve tanë automjete të blinduara me katër rrota, kështu që kamionçinat janë një kompromis”, ka thënë Anton Senenko, një nga vullnetarët që koordinon përpjekjet.

Puna e riparimit mund të bëjë dallimin midis jetës dhe vdekjes për ushtarët që veprojnë në Ukrainën lindore, ku luftimet janë aktualisht të përqendruara, tha ai.

“Shumë shpesh, ka prishje me makina në kohë paqeje. Por në kohë lufte, një avari e tillë mund të çojë në një tragjedi”, tha ai.

Automjetet dhurohen ose blihen nga vullnetarë ukrainas që mbledhin fonde, të cilët shpesh i importojnë ato nga vendet fqinje, duke përfshirë Poloninë, Letoninë dhe Estoninë. /Telegrafi/