Krijimi i Superligës Evropiane ka ngjallur shumë reagime në mbarë botën dhe shumica janë kundër kësaj ideje.
Me 12 klube si themeluese të garës më të re në futboll, konsiderohet se do të jetë një varfëri edhe më e madhe për klubet e vogla.
Në mesin e kritikëve është edhe David Beckham që ka thënë se futbolli është për të gjithë dhe nuk duhet të vihet në rrezik dashuria e madhe që kanë tifozët, lojtarët dhe skuadrat tjera.
“Unë jam dikush që e do futbollin. Ka qenë jeta ime për aq kohë sa më kujtohet”, ka thënë legjenda e Unitedit.
“E kam dashur që kur isha fëmijë i vogël si tifoz, dhe jam akoma tifoz tani. Si lojtar dhe tani si pronar e di që sporti ynë nuk është asgjë pa tifozët”.
“Ne kemi nevojë që futbolli të jetë për të gjithë. Ne kemi nevojë për futboll që të jetë i drejtë dhe kemi nevojë për gara bazuar në merita. Nëse nuk i mbrojmë këto vlera, loja që duam është në rrezik…”, ka shtuar Beckham.
Në mesin e gjashtë klubeve themeluese nga Liga Premier për Superligën Evropiane është edhe Manchester United, andaj Beckham është kundër ish-klubit të tij. /Telegrafi/