Gjatë ditës së djeshme qytetarët e Kosovës kanë votuar për të parin e komunës së tyre, që njëkohësisht do të jetë edhe udhëheqësi i qytetit të tyre për katër vitet e ardhshme. E një ditë pas ata thonë se ky rezultat i zgjedhjeve ishte i pritshëm për ta, por kishte edhe nga ata që ishin të dëshpëruar me këtë rezultat.
“Rezultati ka qenë edhe i pritshëm, tash po shihet që nuk kanë qenë njerëzit e duhur në vendin e duhur, përzgjedhja ka qenë katastrofale”, thotë Shaban Jakupi.
E disa të tjerë që kishin ardhur nga diaspora vetëm për të votuar në Kosovë, u shprehën të zhgënjyer me rezultatin.
“ Me keqardhje them që ma keq s’ka ku te shkojë hiç edhe një herë populli im i dashur, ia nguli një thikë pas shpine vetes. Ne vijmë me gëzim në tokën tonë në vendlindjen time, por jemi të dëshpëruar shumë të dëshpëruar”, u shpreh Shefqet Jashanica.
Kurse Afrim Ismajli, thotë se qytetarët nuk duhet të ankohen sepse sipas tij ata 4 vjet ankohen dhe prapë i votojnë po ata njerëz të cilët i kritikojnë.
“Procesi ka shkuar shumë në rregull, e kjo dëshmon një kulturë të lartë të votimit në Kosovë, ndërsa qytetarët nuk kanë të drejtë më të ankohen, sepse i kanë zgjedhur vetë edhe në fakt është pak befasi që para zgjedhjeve i kritikojnë, tani prap i votojnë të njëjtit njerëz”, tha ai.
Po ashtu, vlenë të theksohet që procesi votimit në Kosovë sipas policisë ishte i rregullt në përgjithësi, duke përjashtuar disa parregullësi të vogla.