Site icon Telegrafi

Një “bombë sociale me sahat”? Ja pse përdorimi i rekrutëve në Kursk mund të sjellë një ‘goditje nga brenda’ për Putinin

Instituti për Studimin e Luftës me qendër në SHBA thotë se përdorimi i rekrutëve në Kursk është një ‘goditje’ për presidentin rus.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, komandanti kryesor i Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, theksoi se forcat e tij kanë kapur rreth 600 ushtarë rusë që nga fillimi i inkursionit të tyre ndërkufitar në rajonin e Kurskut tri javë më parë.

Besohet se shumica e këtyre robërve të luftës janë rekrutë. Ushtarë të rinj dhe relativisht të papërvojë, të cilët ndoshta mendonin se nuk do të shihnin ndonjë luftë të vërtetë në shërbimin e tyre të detyrueshëm ushtarak njëvjeçar.

Dhe ata sigurisht nuk do të prisnin të shihnin luftime në territorin rus.

Por analistët besojnë se ata aktualisht përbëjnë pjesën më të madhe të forcës mbrojtëse në rajonin e Kurskut.

“Janë ata që kapen, janë ata që rrethohen. Dhe kjo ka qenë një dobësi për Putinin për sa i përket perceptimit të brendshëm”, vlerëson Karolina Hird, zëvendës-drejtuese e ekipit për Rusinë në Institutin për Studimin e Luftës, një institut amerikan.

Siç thuhet në shkrimin e Euronews, përcjell Telegrafi, në fillim të luftës së Rusisë në Ukrainë, presidenti Vladimir Putin kishte premtuar se ushtarët e rekrutuar nuk do të përdoreshin në luftime.

Por me raportet për rekrutët e rinj që vdesin ose dërgohen në front, zemërimi po rritet mes familjeve.

“Për sa kohë që ai vazhdon të tregojë se nuk është shumë i interesuar për mbrojtjen e rekrutëve në Kursk dhe përdorimin e tyre si vijën kryesore mbrojtëse, unë parashikoj që kjo të ketë efekte sociale në të ardhmen”, mendon Hird.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se 115 ushtarët, të liruar javën e kaluar në shkëmbimin e parë të të burgosurve që kur Ukraina kaloi kufirin më 6 gusht, u kapën në Kursk.

Ndërkohë, OJQ-ja ruse “Get Lost” mbështet njerëzit që përpiqen të shmangin rekrutimin dhe t’i shpëtojnë luftës.

Ajo thotë se që nga fillimi i inkursionit të Kurskut, qindra nga rajoni kufitar i kanë kontaktuar për ndihmë.

Rekrutimi i radhës fillon më 1 tetor. Ligji thotë se rekrutët e rinj duhet të kenë shërbyer për katër muaj dhe të kenë marrë një specialitet të shërbimit ushtarak për të marrë pjesë në të ashtuquajturin “operacion kundër terrorizmit”.

Kjo do të thotë që ata të regjistruar brenda një muaji nuk duhet të dërgohen askund përpara shkurtit 2025.

Por, si me rekrutët e Kurskut, ata mund të shohin luftimin e tyre të parë më shpejt se kaq. /Telegrafi/

Exit mobile version