Telegrafi

Një 8 mars më ndryshe për doktoreshën e pensionuar – Paçarada flet për sfidat dhe momentet e mira që ka pasur gjatë karrierës së saj

Për doktoreshën Myrvete Paçarada ky 8 mars është shumë më ndryshe, kjo ditë e gruas atë e gjen larg pacientëve me të cilët qëndroi deri në ditën e pensionimit.

Paçarada e cila për 40 vite ishte gjinekologe në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në një intervistë për Telegrafin foli për periudhën e punës e deri në ditën e pensionimit.

“Me ju thanë të drejtën mirë, kjo është një periudhë e re e jetës për mua, pacientët mua më mungojnë sepse një jetë të tërë e kam kaluar me ta, por tash ata janë të sigurt. Janë kolegët tjerë, të cilët i kemi përgatit për këtë ditë kur ne nuk do të jemi në mesin e tyre. Kam punuar kohë të gjatë, mbi 40 vjet në Klinikë të Gjinekologjisë dhe në Fakultet të Mjekësisë kam dhënë mësim, d.m.th kam punuar para dhe pas luftës”, ka thënë ajo.

Doktoresha tha se edhe në kohë të luftës nuk kanë bërë asnjë dallim për pacientë, duke kujtuar kështu edhe natën e dytë të çlirimit, kur ajo kishte kujdestaruar në Klinikën e Gjinekologjisë.

“Në kohë të paraluftës kemi punuar edhe me serbët dhe ka qenë një gjendje e tmerrit, se çfarë po montojnë dhe çfarë po bëjnë dhe e treguan vetën kur dolën nga këtu, duke vjedhur instrumentet, duke lënë bombat nëpër zyre. Kur u kthyem pas luftës ishte çdo gjë ndryshe. Klinika ishte në gjendje të mjerimit, instrumentet e shkatërruara, kemi punuar ditë e natë që të rregullohet edhe pastaj punuam.  Dhe a ka kënaqësi më të madhe se kur lindin fëmijët. Vlerë nacionale, Klinika e Gjinekologjisë gjithmonë është dalluar për të mirë, po shpresoj se ka me vazhdu me u dallu”, pohoi ajo.

Duke folur për karrierën e saj, Paçarada tha se ka pasur vit kur kanë lindur deri në 12 mijë foshnje.

“Me mijëra lindje, brenda një viti kanë ndodhur deri në 12 mijë lindje. Politikat e deritanishme nuk e kanë pasur prioritet shëndetësinë, kushtet minimale ekzistojnë por gjithmonë ka vend për kushte ma të mira, shkenca po ec përpara, aparatura të reja po dalin, ne nuk kemi mujt me përcjell gjithë ato aparatura të reja”, potencoi ajo.

Doktoresha tha se Qeveria e re e Kosovës duhet të ketë prioritet shëndetësinë, gjithashtu ajo përmendi edhe disa momente të mira dhe të vështira që ka pasur gjatë karrierës së saj.

“Ka pasur momente të gëzueshme dhe të hidhura, fatkeqësisht në shëndetësi nuk përfundon gjithçka mirë, ndodh ndonjëherë e papritura shkon fëmija, nëna. Një moment që ka qenë më tragjik është kur një student i imi duke prit më hy në provim ka pësuar sulm në zemër dhe ka ndërruar jetë”, potencoi ajo.

Paçarada pohoi se po të kthente kohën prapa, ajo sërish do të zgjidhte profesionin e gjinekologes teksa shtoi se nëse i kërkohej të kthehej sërish në punë, ajo do të pranonte një gjë të tillë.

Në ditën e gruas ( 8 mars), doktoresha ftoi të gjitha gratë që të kontrollohen te mjeku sepse çdo sëmundje që diagnostikohet herët mund të shërohet. /Telegrafi/