Një 35-vjeçar ka humbur jetën sot si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në fshatin Krushevë e Vogël, komuna e Klinës.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Gashi bëri të ditur se në aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamion.
“Rreth orës 12:52, ka ndodhur një aksident në magjistralen Klinë- Gurakoc, në fshatin Krushevë e Vogël. Në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një veturë dhe një kamion. Për vozitësin e automjetit, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen, ndërsa vozitësi i kamionit ka pësuar lëndime”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë kanë ndodhur 46 aksidente trafiku, ku 14 prej tyre ishin me persona të lënduar./Telegrafi/