Site icon Telegrafi

Nisma- AKR, besojnë se do ta kalojnë pragun zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet parlamentare, të cilat janë mbajtur ditën e diele (6 tetor).

Sipas këtyre rezultateve preliminare të cilat nuk përfshijnë votat me kusht dhe ato nga diaspora, koalicioni NISMA-AKR nuk ka kaluar pragun zgjedhor.

Në zgjedhjet e së dielës, koalicioni NISMA-AKR ka marrë 39 mijë e 495 vota ose, 4.94 për qind.

Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të së dielës, për Telegrafin është deklaruar sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli.

“Disa vendvotime do të rinumërohen pasi që janë vërejtur disa gabime kemi shpresë që del diçka,  po ashtu presim edhe numërimin e votave nga diaspora dhe me kusht, besojmë shumë që  edhe aty kemi aty vota dhe do ta kalojmë pragun “, ka thënë ai për Telegrafin.

Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli

Telegrafi ka provuar të marrë edhe një koment nga Nisma Socialdemokrate, mirëpo këta të fundit nuk i janë përgjigjur thirrjeve të redaksisë.

Ndërkohë, KQZ ka bërë të ditur se sipas rezultateve preliminare, partia fituese e zgjedhjeve parlamentare 2019, është Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 203 mijë e 52 vota ose 25.49 për qind. Pas VV-së, radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me 197 mijë e 702 vota ose 24.82 për qind. Partia Demokratike e Kosovës zë vendin e tretë me 169 mijë e 211 vota ose 21.24 për qind.

Lexo po ashtu KQZ finalizon procesimin e votave të zgjedhjeve, Vetëvendosje mbetet e para

Në zgjedhjet parlamentare, kanë votuar 812 mijë e 49 votues apo 44.18 për qind./Telegrafi/

Exit mobile version