Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur pas takimit të sotëm mes kryengeociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se i njëjti është në rrugë të mbarë.
Lajçak përmes një postimi në Twitter, ka shkruar se në axhendë kishin çështjen e targave, zbatimin e marrëveshjeve të kaluara dhe përgatitjet për një takim të ardhshëm në nivel të lartë.
“Takimi i sotëm i kryenegociatorëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në rrugë mbarë. Ne kemi një axhendë të plotë të çështjeve aktuale, duke përfshirë targat, zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të Dialogut dhe përgatitjen e terrenit për një takim të ardhshëm të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçak.
Today’s Chief negotiators’ meeting between Kosovo and Serbia is well under way. We have a full agenda of current issues, including licence plates, implementation of past Dialogue agreements and preparing the ground for a next High-level meeting. pic.twitter.com/MdzJzdRIjI
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) April 21, 2022
Kosovës dhe Serbisë sot, më 21 prill, u skadon afati për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me targat e veturave serbe dhe atyre kosovare që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e dy shteteve.
Më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me targat, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej brenda gjashtë muajsh.
Me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.
Marrëveshja është arritur pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kishin bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti. Me ato masa, automjetet me targa të Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, është dashur të vendosin targa të përkohshme – ngjashëm siç kanë vepruar shoferët e automjeteve me targa të Kosovës kur kanë hyrë në Serbi. /Telegrafi/