Telegrafi

Takimi trepalësh për targat në Bruksel, Lajçak: Shpresoj të gjendet një zgjidhje për uljen e tensioneve

Është zhvilluar takimi mes kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel.

Kjo u bë e ditur nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në një shkrim në Twitter, Lajçak ka thënë se pret të arrihet një zgjidhe përfundimtare për t’i ulur tensionet në terren mes dyja shteteve.

“Sot po pres kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë si vazhdim i takimit tonë të nivelit të lartë. Shpresa ime e sinqertë është se ne do të arrijmë të gjejmë një zgjidhje sot për të de-përshkallëzuar tensionet në terren dhe për të punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi Lajçak.

“Bisedimet po vazhdojnë”, shtoi ai.

Ndërkaq, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Ai ka thënë të martën se ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është shumë i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targave ilegale serbe./Telegrafi/