(E plotësuar) – Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, në takimin me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti e falënderoi Kosovën për strehimin e afganve dhe mbështetjen e treguar ndaj Ukrainës.
Blinken tha se Kosova është partnere e palëkundur dhe e rëndësishme e SHBA-së.
“Jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje që janë të rëndësishme për ShBA-në dhe shtetin tuaj. Ju falënderoj edhe njëherë që i keni mirëpritur afganët. E kemi parë mbështetjen për Ukrainën që nga dita e parë, për agresionin rus atje. Keni punuar edhe në aspektet e tjera. Presidente e çmoj lidershipin e juaj në këtë”, ka thënë Blinken.
Blinken ka thënë se nesër do të nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe MCC.
“Nesër do të nënshkruani kontratën me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit për energji. Kemi bashkëpunuar në të gjitha këto çështje. Kemi punuar në çështjet kritike të sigurisë rajonale, por kryesisht është kënaqësi dhe nder të ju mirëpresim në Departamentin e Shtetit. Faleminderit që keni ardhur”, tha Blinken.
Ndërsa, presidentja Osmani deklaroi se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe se do të punojnë me SHBA dhe vendet tjera demokratike që pozita ndërkombëtare e vendit tonë të forcohet edhe më tej duke marrë vendin e merituar në komunitetin euro-atlantik.
Ky është takimi i parë i përbashkët i këtij formati në Departamentin e Shtetit, në Uashington D.C.