Një sistem i mbrojtjes ajrore Patriot është vendosur në Lituani si pjesë e stërvitjes vjetore ushtarake ndërkombëtare, Baltic Connection 24.
Bëhet e ditur se ky sistem synon të rrisë mbrojtjen e popullsisë dhe infrastrukturës së vendit kundër aeroplanëve, dronëve dhe raketave.
Bateria e sistemit të mbrojtjes ajrore ka mbërritur në portin Klaipeda prej ku do të zhvendoset në bazën ajrore Siauliai.
Lituania kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit, ku qeveria polake thotë se Rusia mund të ketë vendosur rreth 100 armë bërthamore, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Zyrtarët lituanez e përshkruajnë vendosjen e sistemit Patriot si hapin e parë drejt zbatimit praktik të modelit të mbrojtjes ajrore rrotulluese për të cilin janë dakorduar gjatë samitit të NATO-s në Vilnius vitin e kaluar.
“Është e rëndësishme në një farë mënyre që ne do të jemi në gjendje të testojmë dhe përgatitemi për këtë model rrotullues, që do të thotë se ne dimë se çfarë të bëjmë dhe si ta bëjmë atë. E vetmja gjë që mbetet është ta testojmë atë”, tha Ovidijus Pilitauskas, komandant i batalionit të mbrojtjes ajrore të Lituanisë.
Sipas ushtrisë lituaneze, stërvitja do të nxisë gatishmërinë për të lëvizur forcat dhe integrimin e forcave, komandën dhe kontrollin e unifikuar dhe ekzekutimin e operacioneve të mbrojtjes ajrore.
Ndryshe, Suedia dhe Holanda janë ndër vetëm shtatë vendet e NATO-s në Evropë që kanë sisteme Patriot; të tjerat janë Gjermania, Greqia, Polonia, Rumania dhe Spanja, sipas të dhënave të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike. /Telegrafi/