Telegrafi

Seanca e parë gjyqësore ndaj Jakup Krasniqit në Hagë

E plotësuar: Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi është deklaruar si i pafajshëm për krimet që pretendon Specialja.

“Unë nuk ndjehem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë të aktakuzës. Nuk jam fajtor për asnjë krim”, tha ai.

Krasniqi në seancën e parë gjyqësore në Hagë ka thënë se asnjëherë në jetën e tij nuk ka trajtuar njerëz siç u trajtua ai.

Krasniqi në Hagë: Na quajtët ndërmarrje kriminale, por unë asnjëherë s’i kam trajtuar njerëzit ashtu siç më trajtuat mua

E plotësuar: Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi në seancën e parë gjyqësore në Hagë ka thënë se asnjëherë në jetën e tij nuk ka trajtuar njerëz siç u trajtua ai.

“Së pari, dua të them këtu se unë jam arrestuar më 4 nëntor 2020 në aktakuzë po na quani ndërmarrje e përbashkët kriminale, por dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se nuk ka qenë qëllimi i tij trajtimi i njerëzve, por lufta kundër okupatorit që kaq bërë krime në Kosovë.

“E ndjej vetën më shumë se mirë dhe nuk do të dëshiroja të jem në petkun e njerëzve që kanë shpirt krimineli. Jam intelektual jam njeri që politikisht e kam luftuar Serbinë dhe në asnjë deklaratë timen nuk e kam drejtuar gishtin nga popullsia civile as serbe, as ndonjë tjetër. Në aktakuzë përpiqeni të ndani shqiptarët në katolik dhe mysliman, unë jam shqiptar s’jam as katolik as mysliman dhe kjo për mua është fyese, e po ashtu edhe për vendin tim”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se “cilësimi i prokurorit që ne qenkemi ndërmarrje e përbashkët kriminale, për mua dhe shokët e mi që luftuam për çlirimin e vendit tonë nuk ka diçka më fyese”.

“Ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtet formuese. Ndërmarrje e përbashkët kriminale janë jo vetëm serbët në Serbi, por edhe koka e saj në Beograd dhe mbështetësit e politikave të Beogradit”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se nuk ka menduar që të marrë avokat mbrojtës, dhe se atë nuk e ka marrë me vullnetin e tij e as me bindjen që i duhet avokati.

“Ishte dëshira e familjes dhe shokëve që të pranoj avokat, dhe jam i bindur që nuk më duhet avokati. Dhe nuk mbajë asnjë përgjegjësi të vetme me këtë që akuzohem as të veprimit e as mosveprimit. Detyra ime ka qenë publike, zëdhënës i UÇK-së”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se ndaj tij është bërë pa të drejtë. “Jam këtu pa të drejtë, ndaj meje është bërë padrejtësi e madhe”, tha Krasniqi.

Krasniqi akuzohet për vrasjen e atyre që nuk kishin përkrahur UÇK-në dhe personave që kishin lidhje me LDK-në

E plotësuar: Sekretarja administrative e Dhomave të Specializuara në Hagë, ka thënë se Jakup Krasniqi akuzohet për disa krime kundër popullatës civile.

Sekretarja theksoi po ashtu se Krasniqi dyshohet të ketë vrarë edhe kundërshtarë që nuk kishin përkrahur UÇK-në, duke përfshire edhe personat që kishin lidhje me LDK-në, transmeton Telegrafi.

“Dyshohet për krime në Bajgore, Llapashtice, dhe disa vendbanime në komunën e Podujevës, po ashtu në disa vende në komunën e Drenasit, në Ferizaj, komunën e Gjilanit, komunën e Gjakovës, komunë e Lipjanit, komunën e Skenderajt, komunën e Malishevës, në komunë e Klinës, në komunë e Prizrenit, në Komunën e Suharekës, dhe në Shqipërinë veriore. Krimet u kryen kundër popullatës civile, kishin në shënjestër kundërshtarët që nuk përkrahin UÇK, duke përfshirë edhe personat që kishin lidhje me LDK-në”, tha ajo.

Seanca e parë gjyqësore ndaj Jakup Krasniqit në Hagë

E plotësuar: Ka nisur seanca e parë gjyqësore në Hagë ndaj ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Gjykatësi i procedurës paraprake bëri të ditur se për çfarë akuzohet Krasniqi.

“Gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit. Përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë e personave. Katër akuza për krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme”, tha ai.

Krasniqi është arrestuar më 4 nëntor nga hetuesit e Speciales, pas dhjetë orësh bastisje që kanë bërë në shtëpinë e tij, transmeton Telegrafi.

Përveç Krasniqit, Specialja javën e kaluar ka konfirmuar aktakuzat edhe për tre ish-pjesëtarët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimin.

Në aktakuzën e konfirmuar për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.

Gjatë kësaj jave, para gjykatësve në Hagë do të paraqiten edhe Thaçi, Veseli dhe Selimi. /Telegrafi/