E plotësuar: Ka përfunduar konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Avokatët mbrojtës të palëve kanë kërkuar që muajve në vazhdim të mbahet edhe një konferencë paragjyqësore, me qëllim që të sqarohen për çështjet e mbetura.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka kërkuar nga Prokuroria që t’ua japin dosjen e dëshmitarëve dhe hetimeve, në mënyrë që pala mbrojtëse t’i bëjë hetimet e nevojshme.
“S’mund t’u përgjigjemi saktësisht pa na dhënë dosjen e plotë”, ka thënë ai.
Mbrojtja ka thënë se një konferencë e tillë në fillim të muajt mars do të ishte e mirëpritur.
Gjatë kësaj konference mbrojtësi i Hashim Thaçit, David Hooper ka thënë se ndër arsyet tjera që po e vështirëson hetimin e mbrojtjes, pos asaj që nuk po dorëzohet siç duhet materiali nga Prokuroria, është edhe situata me pandeminë COVID-19
Emmerson ka insistuar sërish që dosja paraprake të dorëzohet nga Prokuroria në prill.
“Nuk do të shpenzojmë para e burime të hetimeve pa e ditur se cila do të jetë çështja e Prokurorisë. Edhe pas nëntë muajve nëse nuk zgjidhet kjo atëherë do të bëjmë diskutimin e njëjtë. Të jepet dosja paraprake në prill. Drejtësia do që gjykimi të shihet si proces i rregullt. Kur prokuroria nisi punën me këtë politikë, që po e shpalos këtu për të kufizuar aftësinë e mbrojtjes, është në dorën tuaj z. Gjykatës që ta drejtoni kursin e procedurave këtu, për të bërë punë të mirë profesioniste, e t’i tregohet komunitetit ndërkombëtarë që kjo gjykatë e meriton mandatin që i është dhënë”, ka thënë Emmerson.
Avokati i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Ben Emmerson, ka deklaruar se derisa nuk janë filluar hetimet, është e vështirë të vjen në Kosovë për të kryer hetime.
Kjo për arsye se sipas tij, në shtyrjen e datës së hetimeve ka ndikuar pandemia e coronavirusit, duke mbyllur kufijtë e Holandës. /Telegrafi/
—-
Prokuroria reagon ndaj avokatit të Veselit: Nuk janë asgjë tjetër veç çështje retorike
E plotësuar: Prokurorja e ZPS ka reaguar ndaj akuzave që avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson bëri ndaj Prokurorisë së Dhomave të Specializuara, ku tha se kjo prokurori ka bërë punë të paorganizuar.
Prokurorja tha se nga të gjitha ato që tha Emmerson janë të pasakta.
“Kjo është e pasaktë çka tha mbrojtja e Veselit. Nuk janë asgjë tjetër veç çështje retorike. Kjo nuk duhet të tolerohet më nga kjo gjykatë”, tha ajo.
Edhe sa i përket kërkesave te mbrojtjes së Hashim Thaçit, prokurorja tha se materialet janë nxjerr në përputhje me rregullat specifike.
“Mbrojtja është e pajisur me materiale e nxjerra nga udhëzimet. Materialet janë nxjerr në përputhje me rregullat specifike. Sa i takon parashtrimeve të mbrojtjes së Thaçit, besoj që këto çështje i ngrita. Më tej në kohën e duhur të gjitha provat dhe materialet do të përcaktohen. Një raport i tillë me përmbledhje do të nxirret në kohën e përcaktuar me rregullore”, ka thënë prokurorja e ZPS-së
—-
Avokati i Veselit: Në materialet e Prokurorisë nuk ka asnjë provë kundër klientit tim, ata nuk e dinë as vet çfarë çështje kanë ngritur
E plotësuar: Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka akuzuar Prokurorinë e Dhomave të Specializuara për punë të paorganizuar.
Emmerson ka thënë se nxjerrja e materialeve nga ana e Prokurorisë po bëhet në mënyrë të padobishme.
“Situata në përgjithësi është kështu, mënyra sesi po bëhet nxjerrja e materiale është mënyra më e padobishme duke i pamundësuar mbrojtjes të bëjë hetimet e saja. E gjithë kjo punë po bëhet në mënyrë të pa organizuar”, ka thënë Emmerson.
Avokati Emmerson ka shtuar se kjo po bëhet me qëllim.
“Unë nuk dua të kemi asnjë lloj keqkuptimi për këtë pengesë të jashtëzakonshme që na është krijuar nga mënyra sesi po e bënë Prokuroria. Kjo është e qëllimshme dhe këtë mund ta shikojmë edhe te parashtrimi që bëri Prokuroria që tha se lidhjet me dëshmitarët nuk mund të bëhen”, u shpreh Emmerson.
Ai ka shtuar se kjo është mënyrë kautike dhe e paprecedent e paraqitjes së materialeve.
“Janë 34 vende që pretendohet se janë kryer krimet dhe aty askund nuk përmendet që Veseli ka kryer ndonjë krim. Aty nuk ka asnjë fije provë kundër tij. Prokuroria është mirë të na thotë se ku qëndron problemi i përgjithshëm. Deri sa të na thonë ata se ku është ky problem ne mbetemi në errësirë”, tha Emmerson.
Emmerson tha se “Prokurori Smith duhet të na thotë qartësisht se çfarë do të bëjë dhe çfarë do të arrij me këtë sasi të madhe të materialeve” Ai tha se Prokuroria ende nuk e ka kuptuar vetë se çfarë çështje ka ngritur. /Telegrafi/
—–
Mbrojtja e Thaçit kërkon nga Prokuroria dokumente me të dhëna të detajuara nga dëshmitarët
E plotësuar: -Avokatët e ish presidentit të vendit, Hashim Thaçi, David Hooper dhe Sophi Menegon sot gjatë konferencës së tretë në Dhomat e Specializuara kanë kërkuar nga Prokuroria e Specializuar që të ju jepen dokumente dhe të dhëna më të qarta në lidhje me dëshminë e dëshmitarëve dhe identitetin e tyre.
Hooper tha se kanë pasur vështirësi që të nxjerrin materialet të cilat janë dërguar në Prokurorinë Speciale.
“Ka një grup çështjesh të lidhura. Në lidhje me nxjerrjen e materialeve ka pasur disa vështirësi konkrete që janë drejtuar nga ZPS ku u vunë në dukje, por mbetet ai që quhet problem i përgjithshëm, mënyra se si sistemi i ZPS-së nxjerr materialet. Mund të them se sistemet e nxjerrjes së materialeve me të cilat kemi punuar është më pak i dobishmi. Mënyra se si bëhet nxjerrja e materialeve dhe sidomos kur bëhet fjalë për materialet e shumta, kjo duhet të jetë si udhërrëfyes për ta ndihmuar mbrojtjen dhe për ta trajtuar e vendosur për përparësitë e saj për hetimet që duhet ndërmarr. Dëshmitarët që janë marr me pseudonime, nuk na është dhënë një përmbledhje ose pesë rreshta në lidhje se për çka do të thonë këta dëshmitarë. Mungojnë hollësitë në lidhje me tabelat. Mungojnë hollësisht, dhe ZPS vazhdon të veproj kështu. Mungojnë meta datat, etj”, ka thënë Hooper.
Edhe avokatja Menegon tha se si mbrojtje kanë probleme që të identifikojnë dëshmitarët e rastit.
Ajo tha se i vetmi material që u jepet është përshkrimi dhe pseudonimi i dëshmitarit.
“Lidhur me identifikimin e dëshmitarëve kemi problem. Na janë dhënë shumë materiale nga dëshmitë e tyre. Janë më shumë se 200 prova të tilla si provë inkriminuese. Andaj duam që të na jepen më shumë të dhëna nga Prokuroria që të fillojmë hetimet tona. Identifikimin e materialeve të lidhura me secilin dëshmitarë e kemi të vështirë. I vetmi material që na jepet është vetëm përshkrimi, dhe pseudonimi i dëshmitarit. Kur lexojmë deklaratën dhe intervistën shohim që janë dërguar disa dokumente e këto dokumente nuk na jepen. Kërkojmë që prokuroria sistematikisht që në çdo transkprit të dëshmitarëve të na jepen dokumentet të dhëna nga dëshmitari. Kërkojmë dokument më të qartë në lidhje me dëshmitarët|, ka thënë Menegon. /Telegrafi/
—-
E plotësuar- Në Hagë është duke u mbajtur konferenca e për ecurinë e çështjes në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nga Dhomat e Specializuara.
Prokurorja e ZPS ka theksuar se materialet e fundit janë nxjerr më 12 shkurt.
“Që nga konferenca e fundit ZPS ka nxjerr dy grupe të materialeve dhe këto janë paketa 16 dhe 22. Gjithashtu me 5 shkurt parashtruam një kërkesë për masa mbrojtëse”, ka thënë Prokurorja.
Ajo ka shtuar se ZPS vazhdon të përmbushë detyrimet e veta lidhur me materialet shfajësuese.
Prokurorja ka theksuar se janë disa materiale që mbështesin aktakuzën dhe dokumentet fillestare. Ajo ka shtuar se ZPS është e gatshme të diskutojë çdo pyetje lidhur me meta datat që duken të paqarta. /Telegrafi/
—-
Nis seanca e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Ka nisur konferenca e tretë për ecurinë e çështjes në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nga Dhomat e Specializuara.
Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi nuk janë të pranishëm në seancë por ata po e ndjekin këtë përmes video-konferencës.
Gjykatësi Nicolas Guillo ka thënë se qëllimi i sotëm është që të diskutojmë ecurinë e çështjes. /Telegrafi/