Site icon Telegrafi

Mbrojtja thotë se Zyra e Prokurorit të Specializuar po shkel afatet në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

E plotësuar: Mbrojtja ka vlerësuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke shkelur afatet kohore sa i përket qështjes Thaçi dhe të tjerët.

Avokati Nick Kaufman ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk po punon në mënyrë të zellshme dhe se kërkesa për ta shtyrë datën e dorëzimit të dosjes para trupit gjykues sipas tij, nuk duhet të merret parasysh.

“Kërkoj ZPS-së që të veprojë në mënyrë të zellshme, nuk është mënyrë e zellshme e kryerjes së punës, janë pushtuar nga paniku dhe po na dorëzojnë materiale siç u vijnë. Prokurori paraqiti faktin se ka dorëzuar shumë materiale por nuk përmendi se këto materiale u dorëzuan më 30 qershor. Pra, nëse nuk është gjykatësi që kërkon konferenca për ecurinë e çështjes, ata nuk bëjnë asgjë. Gjuha e përdorur nga ZPS është që e kanë bërë enkas që t’i lënë vetes mundësi të shtyhet afati përfundimtar. Them që kjo është mjegullim i materialeve dhe parashtrimeve që e ka karakterizuar ZPS-në tërë kohën”, tha Kaufman.

Kaufman ka thënë se sipas rregullave dëshmitarët të cilët janë paraqitur pas afatit të përcaktuar nga gjykata, atëherë nuk duhet të lejohen të japin dëshmi.

Avokati Luka Misetiq ka thënë po ashtu se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka parashtruar materialet pas afatit të 4 qershorit, siç është dhënë.

Ai ka shprehur shqetësimin e mbrojtjes për raportet e ekspertëve të cilat ZPS tha se janë tre e që kërkon më shumë kohë për t’i paraqitur.

“Sa i përket raportit të ekspertëve shprehim çudinë se ende është në përgatitje ky raport. Në nëntor ZPS tha se nuk kishte arsye pse të mos fillonte gjyqi këtë muaj, tani po na thuhet se janë në përgatitje tre raporte ekspertësh dhe nuk do jenë gati për afatin e caktuar. Gjykatës ne kërkojmë të caktoni një afat për raportet e ekspertëve që ato të jenë të përfshira në dosjen paraprake”, tha Misetiq.

Edhe avokati David Young tha se ZPS-ja po kërkon që ta shtyjë afatin edhe më tej.

Ndërkaq, Prokurorja ka thënë se ka pasur vëllim shumë të madh të materialeve. Ajo ka thënë se më 27 gusht ZPS-ja do të parashtrojë kërkesë për masa mbrojtëse. Nuk ka dhënë datë për nxjerrjen e materialeve, por ka theksuar se posa të përfundojë procedimi i tyre do t’i nxjerrin./Telegrafi/

—-

Në Hagë ka nisur konferenca e gjashtë për ecurinë në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjyqtari Nicolas Guillo tha se qëllimi i kësaj konference është të shqyrtojmë ecurinë e kësaj çështje.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka deklaruar se janë nxjerrë 10 paketa sa i përket çështjes së nxjerrjes së informacioneve.

Prokurorja e ZPS-së ka bërë të ditur se gjithashtu janë dorëzuar edhe dy kërkesa shtesë për masa mbrojtjes.

“Ka pasur një kërkesë shtesë për masa mbrojtëse që do të dorëzohet nesër, kjo lidhet me provat materiale që lidhen me dëshmitarët”, ka thënë prokurorja e ZPS-së.

Prokurorja ka shtuar se po hasin në vështirësi në nxjerrjen e materialeve. /Telegrafi/

Exit mobile version