Telegrafi

Nikolla Gruevski: Hungaria e ka pranuar kërkesën time për azil politik

Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, përmes një postimi në faqen e tij në Facebook njofton se Hungaria i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së tij për azil politik.

“Sot Republika e Hungarisë, anëtare e BE-së dhe NATO-s i është përgjigjur pozitivisht kërkesës sime për azil politik, për shkak të përndjekjes politike në Maqedoni. Në kërkesën për azil politik kam përmendur se e kërkoj azilin për shkak të përndjekjes nga qeveria e re e udhëhequr nga LSDM. Kam përmendur se qeveria dëshiron të ma merr lirinë duke përdorur hapa jodemokratik dhe metoda të keqpërdorimit të Prokurorisë dhe sistemit gjyqësor në Maqedoni”, shkruan Gruevski, njofton Telegrafi Maqedoni.

Gruevski para disa ditëve për shkak të dënimit me burg prej dy viteve, u arratis nga Maqedonia dhe kërkoi azil politik në Hungari.

Ndërsa gjatë ditës së sotme Ministria e Drejtësisë në Maqedoni njoftoi se e ka dërguar kërkesën për ekstradimin e ish-kryeministrit nga Hungaria. Ndërsa përkrah kërkesës nga Ministria njoftuan se kanë dorëzuar edhe dokumentacionet e nevojshme, përmes së cilave theksojnë arsyet se Gruevski duhet të ekstradohet në Maqedoni dhe ta vuajë dënimin me dy vite burg./Telegrafi/