Nikola Tunici, shqiptari me prejardhje nga Binça e Vitisë, ka fituar ulëse në Parlamentin e Hamburgut, pasi ka fituar numrin e mjaftueshëm të votave në zgjedhjet e 2 marsit në Gjermani.
Lajmin e ka bërë të ditur gazetari shqiptar në Gjermani, Bahri Cani.
“Në Parlamentin e Hamburgut prapë do të ketë një shqiptar: Nikola Tunici nga Partia kristiandemokrate CDU. Ai ka fituar numrin e mjaftueshëm të votave në zgjedhjet e zhvilluara të dielën, më 2 mars. Në këto zgjedhje kanë kandiduar pesë kandidatë me origjinë shqiptare: Dafina Berisha (SPD), Kushtrim Lulaj (CDU), Muhamet Idrizi (CDU), Nikola Tunici (CDU) dhe Sami Musa (FDP)”, shkruan Cani.
Tunici është me prejardhje nga Binça e Vitisë, ndërkaq jeton prej vitesh në Hamburg
Ai tutje njoftoi se përveç Nikolës të tjerët nuk arritën që në këto zgjedhje të mbledhin numrin e mjaftueshëm të votave.
“Deri tani në këtë Parlament ka qenë Sami Musa, por FDP nuk e ka kaluar pragun e domosdoshëm prej 5%. Sidoqoftë, shpresojmë dhe besojmë se Nikola Tunici tani do të adresojë shumë çështje me rëndësi në Hamburg”, shkruan ai. /Telegrafi/