Përkthyesi i Enver Hoxhës në mbledhjen e 81 partive komuniste e punëtore në Moskë në nëntor 1960, Myfit Mushi, mban mend gjithçka.
Mbledhja e rëndësishme filloi më 10 nëntor dhe sikurse dihet, fjalimin e parë e mbajti Nikita Hrushovi. Pas tij e morën fjalën udhëheqës të partive vasale të Moskës që mbështetën atë. Por, gjithë meraku ishte te qëndrimi i PK të Kinës dhe PPSH që do të flisnin më pas dhe që i kishin shfaqur hapur divergjencat e tyre me PK të BRSS.
Prandaj, u organizua takimi i Enverit me Hrushovin në Kremlin më 12 nëntor, me qëllim që të bëheshin të gjitha përpjekjet për t’i ndryshuar mendjen Enverit. Por, të gjitha takimet që u bënë rezultuan të pafrytshme…
Enver Hoxha e mbajti fjalimin e tij në mbledhjen e 81 partive më 16 nëntor. Për atë fjalim është punuar ditë e natë dhe Enverit iu deshën dy orë ta lexojë.
“Në Moskë atëherë bënte shumë ftohtë. Po ai fjalim sikur i zbriti temperaturat shumë gradë nën zero. Sikur plasi një bombë në sallën Georgievskaja. Të Ata që kishin dhënë emrat për të folur, u tërhoqën dhe kërkuan kohë për t’i riparë fjalimet e tyre në kontekstin që ishte krijuar…”, thotë Mushi.
Drejtuesi i mbledhjes i ndërpreu punimet për të vazhduar të nesërmen… Të nesërmen prapë u prish rregulli. Pavarësisht se kishte folur njëherë ditën e parë, Hrushovi e mori përsëri fjalën. Ishte një fjalim i ashpër, shumë denigrues ndaj PPSH-së dhe Enver Hoxhën për fjalimin që kishte mbajtur një ditë më parë.
“Unë i përktheja në vesh Enverit. Fjalimin Hrushovi e kishte me shkrim dhe, në një moment, i nxehur heq syzet. Mua më kapi ankthi, sepse si edhe herë të tjera që e kisha përkthyer, e dija se kur ai hiqte syzet fliste mbarë e prapë dhe këpuste mufka të pa imagjinueshme. Pasi hoqi syzet, Hrushovi tha: ‘E dini, shokë se ç’ka bërë Enver Hoxha në këtë sallë? Na lyeu me mut të gjithëve’! Unë po vonohesha në përkthim, por Enveri më tha: ‘Vazhdo përkthe’. Dhe, unë i thashë: ‘Ai tha se dje shoku Enver na ka lyer me të pëgërë të gjithëve’! Enveri vetëm sa tundi kokën si të thoshte: Nga ky pritet gjithçka tani… Pas Hrushovit, atë ditë folën shumë ashpër kundër PPSH-së dhe Enverit, Dolores Ibarruri e Spanjës, Moris Torez i Francës dhe Gomulka i Polonisë. Por, mua më ka ngelur në mendje fjalimi i kryetarit të Partisë Komuniste të Birmanisë. Ai, duke iu drejtuar Hrushovit tha në thelbin e fjalës së tij: ‘Është i turpshëm ky sulm që po bëhet ndaj PPSH-së që po mban lart flamurin e marksizëm-leninizmit në brigjet e Adriatikut. Turp për ju, shoku Hrushov që e kini lënë pa bukë popullin shqiptar… Sikur ta dinim se populli shqiptar ishte pa bukë, unë do t’i propozoja anëtarëve të partisë sime që kuotizacionet tona të shkonin në ndihmë të Shqipërisë. Këtë do t’ua sugjeroja edhe partive të tjera motra komuniste’”, thotë përkthyesi i Enverit.
Në pushim, Yuri Andropovi i drejtohet Enverit. Enveri bëri sikur nuk e vuri re, ndërsa shikonte tutje nga fundi i sallës. Ai kishte një letër që e dorëzon. Kur Andropovi ishte larguar, Enveri më thotë hape dhe shiko se çfarë duan. I them: “Kërkojnë një takim tjetër të delegacioneve të të dy vendeve për problemet shtetërore”!
Në mbarim të takimit për problemet e marrëdhënieve shtetërore midis të dy vendeve, që u zhvillua atë ditë që delegacioni shqiptar do të kthehej në atdhe, Mikojani i thotë Mehmet Shehut: “Më vjen shumë keq shoku Mehmet kur mendoj se pasi të ktheheni në Tiranë, do ta kini pisk me popullin tuaj që ushqen një dashuri të madhe për Bashkimin Sovjetik. Më vjen keq”!
Mehmeti ia kthen: “Shoku Mikojan, mos u shqetësoni hiç. Unë ju ftoj zyrtarisht në Tiranë dhe të shikoni me sytë tuaj se si do të na presë populli”! /Gazeta Dita/