Emri i Milot Rashicës është përfolur shumë në mediat ndërkombëtare në muajt e fundit.
Shumë skuadra ishin në garë për të nënshkruar me yllin kosovar, por tani numri i tyre është zvogëluar tej mase.
Kjo për faktin se Rashica i ka bërë të qartë Werderit se dëshiron të mbetet në Bundesliga vetëm për RB Leipzig apo të transferohet në Serie A te Milani.
Skuadrat tjera që kërkonin shërbimet e yllit të Kosovës tanimë janë tërhequr, pasi sipas medieve gjermane Rashica nuk është i interesuar të transferohet në ndonjë klub tjetër përpos dy të lartpërmendurave.
Aston Villa, Brighton, Wolverhampton Wanderers, West Ham United, Hertha Berlin, Borussia Dortmund, Napoli e Schalke 04 ishin ekipet tjera të interesuara për yllin kosovar.
Megjithatë tani mediat gjermane raportojnë se Werder po bisedon si me drejtuesit e Leipzig ashtu edhe me ata të Milan për të parë se cila skuadër do të ofrojë më shumë për Rashicën.
Besohet se agjenti i Rashicës, Altin Lala tanimë ka një marrëveshje me dy ekipet dhe cila nga to do të ofrojë më shumë do ta transferojë yllin nga Vushtrria.
23-vjeçari pati një sezon të suksesshëm individual pasi në fund arriti ta shpëtoj skuadrën e tij Werder Bremen pa rënë nga elita e futbollit gjerman.
Rashica ka zhvilluar 34 ndeshje zyrtare këtë edicion me Werderin ku ka shënuar 11 gola dhe ka bërë tetë asistime. /Telegrafi/