Sot në Gjykatën Penale në Shkup ka vazhduar gjykimi për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë.
Në seancën e sotme janë prezantuar SMS porositë që ish-kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski, i ka shkëmbyer me deputetin e atëhershëm të OBRM-PDUKM-së Dimitar Stevananxhija, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në një nga bisedat e publikuara që është bërë më 28.02.2017 gjatë protestave në Prilep, shihet se Veljanoski e ka lavdëruar deputetin, duke i thënë se është plotë energji dhe se ai duhet ta mbrojë në Kuvend.
“Je i mbushur me energji, do të më mbrosh në Kuvend. Përkrah teje dhe Krstos nuk kam dert”, i thotë Velanoski, Stevanaxhisë.
Për të njëjtat protesta Veljanoski ka komunikuar edhe me Nikolla Gruevskin, më 25.02.2017 rreth orës 15:05 dhe e këshillon ish-kryeministrin që protestat e planifikuara në Prilep t’i shtyjnë për një ditë më vonë, pasi siç thotë, maqedonasit do të jenë më të elektrizuar.
Për përshtypjen e protestave është interesuar edhe ambasadori i Maqedonisë në Kinë, Oliver Shambevski. Ai në bisedë me Veljanoskin e pyet nëse protestat do të kenë rezultat, gjegjësisht a do të pengohet formimi i qeverisë, ndërsa Veljanoski i përgjigjet duke i thënë se “nëse duhet me mur do ta pengojmë”./Telegrafi/