Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot (e premte) në orët e pasdites në Pejë, ku djali dyshohet se ka mbytur nënën e tij.
Rastin e rëndë e ka konfirmuar për Telegrafin edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili ka bërë të ditur se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Në lidhje me këtë pati reagime të shumta dhe një i tillë nuk mungoi as nga reperi i njohur shqiptar, Getinjo.
“O krijuesi i gjithësisë dhe gjithçkaje që merr frymë dhe ka shpirt, na ruaj mendjen se vet nuk jemi duke mundur me i rujt. Rasti i sotëm që paska ndodhur me vrasje makabre të nënës ma mpiu trupin komplet”, tha ai.
“Shëndeti mendor luan rolin më të rëndësishëm në jetë sot sepse njeriu që ka shëndet mendor nuk mundet të realizoj këtë vepër asnjëherë në jetë. Ngushëllime. Zoti na dashtë”, shtoi mes tjerash artisti.
Prokurorja e rastit tragjik në Pejë, Sahide Gashi, nga ana tjetër deklaroi se kanë siguruar dëshmitarë okularë të ngjarjes.
Gashi tha tutje se kanë provuar të marrin në pyetje të dyshuarin, mirëpo i njëjti nuk ka qenë në gjendje të flasë. /Telegrafi/