Në sulmin e dytë raketor rus mbi qytetin e Kievit gjatë kësaj jave, janë plagosur të paktën 51 persona dhe janë dëmtuar shtëpi të shumta dhe spitali i fëmijëve, është bërë e ditur sot nga zyrtarët ukrainas – derisa presidenti Volodymyr Zelensky ka kërkuar në Washington më shumë ndihmë për vendin e tij.
Mbrojtja kundërajrore e Ukrainës rreth orës 3 të mëngjesit kanë arritur të shkatërrojnë dhjetë raketa balistike, që kishin shënjestruar kryeqytetin e Ukrainës, kanë njoftuar forcat ajrore ukrainase në Telegram.
Mbetjet e raketave kanë rënë dhe rrezikuar jetën e shumë qytetarëve në katër lagje të Kievit, transmeton Telegrafi.
Dritaret dhe hyrjet në objektin e spitalit të fëmijëve në Kiev, janë shkatërruar nga rënia e copëzave të raketa të shkatërruara, ku sipas autoriteteve lokale nuk ka të vdekur.
Këtë e ka konfirmuar në Telegram edhe kryebashkiaku Vitali Klitshchko, i cili tha se mbetjet goditën edhe disa ndërtesa kolektive, ku si pasojë janë plagosur 51 persona, në mesin e tyre gjashtë fëmijë.
Në anën tjetër, presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar mbrëmë republikanët se Rusisë “do t’i japin dhuratën e Krishtlindjeve” nëse nuk ofrojnë ndihmën shtesë ushtarake për Zelensky, takimi i të cilit me ligjvënësit më të lartë amerikan përfundoi pa një angazhim për mbështetje shtesë. /Telegrafi/