Nga LDK janë shprehur mjaft të zëshëm në lidhje me mënyrën se si kryeministri Albin Kurti po e drejton dialogun me Serbinë.
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan të hënën për një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ndërmjetësoi takimin e së hënës në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuqiç, tha se të dy udhëheqësit treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje.
Megjithatë, palët janë dakorduar që bisedimet do ta vazhdojnë gjatë muajit mars në Shkup.
E për këtë zhvillime kanë vazhduar reagimet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Deputeti i kësaj partie Avdullah Hoti përmes një shënimi në Facebook, ka thënë se kalimi i dialogut nga Shtëpia e Bardhë në Shkup është degradim i procesit.
“Çfarë degradimi!
Nga mundësia për nënshkrim të marrëveshjes finale për njohje reciproke në Shtëpinë e Bardhë apo në qendrat e tjera të Quintit, dialogu ka përfunduar në Shkup dhe atë për të diskutuar datën dhe detajet e zbatimit të asociacionit”, ka shkruar Hoti.
Derisa deputeti tjetër i LDK-së, Driton Selmanaj, theksin e kritikës e ka vendosur te kompetencat që i jepen Kishës Ortodokse Serbe.
“Me shumë gjasë skenari i Kishës Ortodokse të Serbisë i cili u firmos me Malin e Zi përmes Dritan Abazoviqit, do të aplikohet edhe në Kosovë përmes Albin Kurtit”, ka shkruar Selmanaj.
Ai thotë se me zyrtarizmin e statusit të ri të Kishës Ortodokse Serbe po bëhet fjalë për eksterritorialitet./Telegrafi/