Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri në një prononcim për Telegrafin ka thënë se mbrëmë deri në orët e vona ka qëndruar në terren bashkë me ekipet e tyre për të ju dal në ndihmë qytetarëve të cilët janë vërshuar nga uji, gjatë reshjeve atmosferike të ditëve të fundit.
Bahtiri tha se banorët e Lisicës janë evakuuar të gjithë duke u strehuar tek familjarët e tyre, pasi e gjitha ajo zonë është vërshuar nga uji.
Edhe lagja “2 korriku”, siç tha kryetari i Komunës së Mitrovicës, është vërshuar nga uji, ku në këtë pjesë janë evakuuar 13 familje.
“Mbrëmë deri vonë kam qenë në terren me ekipet për t’ju ndihmuar qytetarëve. Në lagjen ‘2 korriku’ i kemi evakuuar 13 familje, në Lisicë janë bllokuar të gjitha familjet ku edhe janë evakuuar tek familjarët e tyre, si dhe vërshime ka pas në fshatin Kçiq të Ulët. Ky ka qenë angazhimi i tri ditëve”, ka thënë Bahtiri.
I pyetur për pasojat dhe dëmet e shkaktuar nëse kanë arritur ta bëjnë vlerësimin e tyre, Bahtiri tha: “Deri sa të stabilizohet krejtësisht situata atëherë do të bëjmë një raport për dëmet e shkaktuara. Kryesisht nuk ka pas njerëz të lënduar, Mitrovica ka shpëtuar më mirë prej komunave të tjera”. /Telegrafi/