Telegrafi

Nga QKUK tregojnë për gjendjen e 22 vjeçares që ra nga kati i tretë i hotelit në Pejë

22-vjeçarja e cila ka rënë mbrëmë nga kati i tretë i një hoteli në Pejë është duke vazhduar trajtimin mjekësor në Klinikën Intensive të QKUK-së.

Shefi i Intensives në QKUK, Shaqir Uka ka thënë për Telegrafin se vajza ka lëndime të rënda serioze në disa pjesë të trupit.

“Pacientja është sjellë në Intensive mëngjesin e sotëm, janë bërë të gjitha ekzaminimet, lëndimet janë të rënda por për momentin gjendja është stabile”, ka thënë ai.

Uka theksoi se janë duke mbajtur në kontroll gjendjen e saj.

Ndryshe, nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se 22 vjeçarja ka rënë nga kati i tretë i një hoteli, mbrëmë pas orës 23:00.

“Mbrëmë pas orës 23:00 një vajzë ka rënë nga kati i tretë i një hoteli. Vajza është e moshës rreth 22 vjeç. Lidhur me rastin janë intervistuar tre persona, vajza ka pësuar lëndime trupore, fillimisht është trajtuar në Spitalin e Pejës pastaj e kanë dërguar për trajtim në QKUK”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Gashi tha se lidhur me rastin hetimet janë duke vazhduar. /Telegrafi/