Telegrafi

Nga Putini te Trumpi: Çfarë po bën lideri i Hungarisë?

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, duket se po merr qasje ndaj një lufte që nuk përkrahet nga aleatët e tij në NATO dhe BE.

Pas një takimi të papritur me presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe udhëtimeve në Kiev dhe Pekin, Orban është takuar me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, ndërsa samiti i NATO-s vazhdonte.

Bëhet e ditur se dyshja diskutuan “mundësitë e paqes” në shtëpinë e Trumpit në Mar-a-Lago në Florida.

Siç thekson zëdhënësi i kryeministrit hungarez, Trump është shprehur se do ta përfundojë shpejt luftën në Ukrainë, pa asnjë shpjegim, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

Këshilltarët thuhet se i kanë paraqitur atij një plan që kushtëzon ndihmën për Kievin me anëtarësimin e Ukrainës në bisedimet e paqes.

Lexo po ashtu Orban pas vizitës në Moskë i shkruan letër zyrtarëve evropianë sikur të ishte zëdhënës i Putinit

Udhëheqësit e NATO-s dhe BE-së janë zemëruar nga veprimet e Orban, pasi ai ka nisur “misionin e tij të paqes” pa koordinimin dhe miratimin e tyre, si dhe po përpiqet të minojë përpjekjet e tyre për të izoluar Rusinë.

“Çfarëdo hapi që po ndërmerret pa pëlqimin ose mbështetjen e Ukrainës nuk është diçka që është në përputhje me politikën tonë, politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Në udhëtimin e tij në Kiev, Orban nuk e njoftoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, se më pas do të ndalonte në Moskë.

“Jo të gjithë liderët mund të bëjnë negociata. Ju duhet të keni njëfarë fuqie për këtë”, tha Zelensky në samitin e NATO-s.

Ndryshe, i ashtuquajturi “plani i paqes” i Putinit do të thotë që Ukraina të dorëzojë katër nga rajonet e saj dhe të heqë dorë nga aspiratat për t’u anëtarësuar në NATO. /Telegrafi/