Politikani liberal serb dhe profesori i Universitetit të Beogradit, Ivan Videnoviq në një intervistë për Telegrafin, ka folur për ngjarjet aktuale në Serbi dhe ndikimin e këtyre zhvillimeve në politikën e brendshme dhe rajonale.
Videnoviq i referohet protestave të studentëve në Serbi si “protesta autentike dhe autoktone”, dhe se “këta djem dhe vajza kanë jetuar gjithë jetën e tyre me vetëdije sociale nën regjimin e Vuçiqit”.
Profesori serb vë në dukje se faktorët e jashtëm, përfshirë qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, nuk kanë luajtur një rol të drejtpërdrejtë në këto protesta.
Ai thekson se kërkesat e studentëve janë thjesht për “drejtësi, forcimin e zbatimit të ligjit dhe çrrënjosjen e korrupsionit”, ndërsa shton se “shumë grupe shoqërore janë bashkuar me protestat, duke përfshirë bujqit, mësuesit dhe mjekët”, një tregues i një pakënaqësie më të gjerë ndaj qeverisjes së SNS-së.
Në lidhje me situatën në Kosovë, Videnoviq në intervistën për Telegrafin, shpreh mendimin se “Kosova duhej të ishte njohur nga Serbia që në vitin 2008”, dhe se është e nevojshme që Serbia të përballet me pasojat e humbjes së Millosheviçit dhe të bëjë një ndryshim të thellë në politikën e saj.
Ai e konsideron të domosdoshëm integrimin e komunitetit serb në shoqërinë kosovare dhe e sheh Albin Kurtin si politikanin shqiptar që ka ofruar një “komunikim të hapur dhe të ndershëm” me serbët, duke ndihmuar në krijimin e mundësive për një marrëdhënie më të mirë mes dy kombeve.
Tutje ai ka komentuar edhe zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, ku rezultatet preliminare që tregojnë Lëvizjen Vetëvendosje si fituese.
Intervista e plotë:
Telegrafi: Protestat në Serbi kanë vazhduar për muaj me radhë. Kush mendoni se qëndron pas tyre dhe a kanë ndonjë lidhje ato me situatën në Kosovë?
Videnoviq: Unë nuk mund të identifikoj asnjë grup të caktuar interesi ose palë të veçantë që qëndron pas protestave të studentëve në Serbi, çka më bën të besoj se ato janë autentike dhe autoktone. Kur flasim për studentët, duhet të kuptojmë se këta djem dhe vajza kanë jetuar gjithë jetën e tyre me vetëdije sociale nën regjimin e Vuçiqit dhe dominimin e tij në hapësirën publike. Ai dhe narrativat e tij demagogjike nacionaliste janë të vetmet që ata mund të kenë dëgjuar gjatë gjithë jetës së tyre. Ne, brezi i moshuar, të cilët njëherë kaluam përmes të njëjtës shkollë me Millosheviçin ishim të bindur se këta të rinj janë të zhytur thellë vetëm në botën e internetit, në Instagram dhe TikTok, pa kontakt me botën reale jashtë. Ata na e hodhën poshtë këtë dhe na bënë të dëshpëruar që ata duhet të kalojnë nëpër të njëjtin purgator që kaluam ne në vitet 1990.
Protestat nuk lidhen drejtpërdrejt me situatën në Kosovë, por siç thashë, këta fëmijë vijnë nga e njëjta “kuti e mendimit” që ka dominuar narrativën publike gjatë këtyre viteve. Kështu që ata nuk kundërshtojnë simbolet agresive si flamujt e bardhë “jo dorëzim” me hartën e Kosovës që promovohen nga qeveria, një motiv që e mbajnë djali i Vuçiqit dhe shokët e tij huliganë të futbollit kanë veshur në bluza dhe Policia e Kosovës i heqi ato në kufi! Në fillim, kjo shfaqje flamuri ishte masive dhe e organizuar nga grupet ekstremiste të djathta, por pas kritikave të shumta, studentët u distancuan nga këto grupe dhe numri i flamujve në protesta ra ndjeshëm.
Telegrafi: A ndikojnë faktorët e jashtëm në protestat në Serbi?
Videnoviq: Këto protesta në fakt janë shumë të thjeshta në kërkesat e tyre. Studentët kërkojnë sundimin e ligjit, drejtësi, forcimin e zbatimit të ligjit dhe çrrënjosjen e korrupsionit. Në thelb, ato nuk janë drejtuar ndaj nivelit politik, por ndaj degës gjyqësore të pushtetit, pra ndaj Kryeprokurorit Publik. Kjo është arsyeja pse Vuçiq ka shumë vështirësi të përballet me protestat, sepse ato nuk kanë lidhje fare me të dhe manovrat e tij politike nuk funksionojnë me studentët. Vuçiq bëri një lëvizje të madhe dhe urdhëroi dorëheqjen e Kryeministrit dhe të gjithë qeverisë, por studentët nuk u impresionuan fare. Atyre thjesht nuk u intereson kush është në pushtet, ata duan një vend ku ligji respektohet dhe zbatohet njësoj për të gjithë. Vuçiq thjesht nuk mund të ofrojë këtë, sepse ai krijoi një shtet Frankenstein me veten e tij mbi ligjin dhe Kushtetutën në radhë të parë.
Telegrafi: Disa argumentojnë se këto protesta përfaqësojnë një pakënaqësi më të gjerë shoqërore përtej çështjeve të caktuara. A bini dakord me këtë?
Videnoviq: Po, ata e përfaqësojnë. Kjo dëshmohet nga grupet e ndryshme shoqërore që i janë bashkuar me protestave: bujqit, mësuesit, mjekët. Lëvizja është pranuar gjerësisht dhe mbështetur nga qytetarët dhe kudo që studentët shkojnë për të protestuar ata priten me dashuri dhe lot nga njerëzit vendas. Ekziston një zhgënjim i gjerë dhe i thellë ndaj shtetit të SNS-së, i cili është sundimi i më të keqes në çdo komunitet lokal, pa asnjë përjashtim. Papritur, njerëzit ndihen të lirë të shprehin dëshpërimin e tyre ndaj nivelit të korrupsionit, nepotizmit, shantazhit, ryshfetit dhe privilegjeve të punësimeve për anëtarët e partisë së Vuçiqit, pa marrë parasysh kualifikimet. Këta të rinj kuptojnë se nëse ky sistem vazhdon, arsimimi dhe përpjekjet e tyre janë të kota, ata do të duhet të emigrojnë për të shmangur makinerinë monstruoze dhe lakmitare të SNS-së. Ky është fundi, loja ka mbaruar tani.
Telegrafi: A mendoni se çështja e Kosovës po përdoret nga Aleksandar Vuçiq për të mbështetur politikat e tij të brendshme, edhe gjatë protestave?
Videnoviq: Deri më tani, ai nuk e ka nxjerrë “kartën e Kosovës”, megjithatë nga disa pritej që ai do të nxiste disa trazira në veri për të larguar vëmendjen e publikut nga protesta. Fatmirësisht, zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë në veri kaluan në mënyrë paqësore dhe me një rend të duhur demokratik. Duket se Vuçiq ka vendosur të tërheqë kartën fituese që në ditët e para të sundimit të tij, dhe kjo është fushata e madhe anti-korrupsion. Ai premtoi tani prokurorëve “duar të lira”, çka dëshmoi se ai u kishte lidhur duart për gjithë këto vite. Sot disa nga besnikët e huliganëve të rangut më të ulët të partisë së tij janë arrestuar, por kjo nuk i plotëson as në distancë kërkesat e studentëve për korrupsionin e sponsorizuar nga shteti dhe marrëveshje të fshehta me Kinën.
Telegrafi: A besoni se këto protesta kanë potencialin për të destabilizuar pushtetin e Vuçiqit në planin afatgjatë?
Videnoviq: Nuk e shoh se si partia që është në pushtet mund të rikthejë besimin pas këtyre ngjarjeve. Vetë Vuçiq tani po ruan personalitetin e tij nga skandali masiv i korrupsionit. Kjo është arsyeja pse ai po distancohet nga SNS dhe po krijon një “Lëvizje të re për Popullin dhe Vendin”. Ai duket se po lëshon çdo gjë tjetër nga rrethi i tij i brendshëm.
Telegrafi: Në kontekstin e zgjedhjeve të shkurtit 2025 në Kosovë dhe rezultateve preliminare që tregojnë Lëvizjen Vetëvendosje si fituese, a mendoni se do të ndikojë kjo në politikat e Vuçiqit ndaj Kosovës?
Videnoviq: Rezultatet janë shumë interesante. Në veri, është e qartë se Vuçiq ruan kontrollin mbi Listën Serbe dhe shumicën e serbëve. Por, domosdoshmëria që Albin Kurtin të kërkojë mbështetje për qeverinë e re po krijon një dinamikë të re në peizazhin politik të Kosovës dhe marrëdhëniet me komunitetin serb mund të ndryshojnë në një mënyrë pozitive. Deri më tani, aq sa dimë ne në publikun serb, z.Kurti është politikani i vetëm shqiptar që ka adresuar hapur dhe ndershmërisht komunitetin serb. Të paktën ata e dinë dhe ne në Serbi e dimë gjithashtu se çfarë ai përfaqëson. Ky komunikim është jetik për sigurinë dhe integrimin e plotë të komunitetit serb në shoqërinë e kosovare. Në pjesën liberale të publikut në Serbi, do të doja të shihnim fundin e ngërçit të getos në veri.
Telegrafi: Nëse do të mbaheshin zgjedhjet sot në Serbi në kushte të drejta, a mendoni se opozita do të mund të fitonte?
Videnoviq: Është e kuptueshme se një front i bashkuar i partive opozitare pro-BE është i nevojshëm për të fituar zgjedhjet. Deri më tani është e qartë se të gjitha partitë opozitare që janë nacionaliste dhe pro-ruse (disa prej tyre edhe më shumë se SNS) kanë dëshmuar se janë në prehrin e Vuçiqit ose po presin në radhë për të kërcyer në prehrin e tij. Kështu që nuk ka asnjë bazë për opozitën që të ju besojnë atyre. Ky maskaradë me partitë e djathta ka zgjatur shumë dhe ka qenë shumë e kushtueshme në ciklet zgjedhore të shumta në 12 vitet e fundit. Rezultati më i mundshëm do të ishte përjashtimi i çdo partie të ashtuquajtur opozitare që nuk mund të ndahen ideologjikisht nga SNS dhe krijimi i një fronti të qartë të orientuar nga BE. Vetëm atëherë mund të pritet mbështetje e fortë nga BE.
Telegrafi: Shumë ekspertë argumentojnë se Vuçiq e përdor komunitetin serb në Kosovë si një mjet për axhendën e tij politike. Si e shihni këtë strategji?
Videnoviq: Komuniteti serb në Kosovë është mashtruar dhe manipuluar për shumë vite nga politika e Beogradit, jo vetëm nga Vuçiqi, por edhe nga të tjerë para tij. Mendimi se këta njerëz duhet të sakrifikojnë jetën e tyre dhe të jetojnë në geto për të mbajtur gjallë fantazinë e “Kosovës serbe” është skandaloze. Zgjedhjet e së dielës së kaluar treguan qartë se Kushtetuta e Kosovës dhe plani i Ahtisaari i japin komuniteti serb hapësirë të mjaftueshme për t’u integruar në shoqërinë e kosovare si një lojtar i rëndësishëm. Vuçiq do të largohet një ditë dhe kontrolli i tij mbi vullnetin politik të serbëve të Kosovës. Por Kushtetuta do të mbetet dhe e ardhmja mund të jetë premtuese.
Telegrafi: Cilat janë mekanizmat kryesorë përmes të cilëve Beogradi ushtron kontroll mbi serbët në Kosovë – politikisht, ekonomikisht dhe përmes strukturave të sigurisë?
Videnoviq: Mendoj se mbizotërojnë mekanizmat ekonomikë dhe të sigurisë. Përfitimet që serbët e Kosovës i marrin nga Serbia janë padyshim faktori më i rëndësishëm. E shohim se pas një viti e gjysmë nuk është zgjidhur ende çështja dinarit serb dhe të moshuarit duhet të udhëtojnë në Rashkë për t’i mbledhur ato. Kjo është një luftë politike për nevojat thelbësore të njerëzve. Serbia lehtësisht mund t’i konvertojë të drejtat në euro dhe t’ua dërgojë njerëzve në Kosovë për të cilët gjoja kujdeset aq shumë.
Telegrafi: Nëse Vuçiq do të humbiste pushtetin, a do të ndryshonte ndonjëherë politika e Serbisë ndaj Kosovës, apo narrativa nacionaliste është shumë e rrënjosur për të pritur ndryshime të rëndësishme?
Videnoviq: Unë nuk e shoh kapacitetin intelektual të opozitës aktuale serbe për të shpërbërë dhe emancipuar nga narrativa thelbësore radikale nacionaliste që e ka mbajtur këtë vend të ngujuar për pothuajse 40 vjet në auto-viktimizimin dhe agresivitetin e dhunshëm dhe/ose të fshehur për shkak të kufijve të pacaktuar. Roli i liberalëve serbë është të vazhdojnë luftën kundër kësaj narrative të rreme të rrezikimit të përhershëm për serbët që jetojnë jashtë Serbisë, përveçse ata janë në një shumicë absolute lokale dhe pastaj krijojnë shtetet paralele të kontrolluara nga Beogradi.
Qëllimi ynë është një ndryshim i plotë i paradigmës politike serbe dhe shkëputja totale nga çdo lidhje me narrativat politike të periudhës së Millosheviçit, të cilat kanë mbijetuar deri më sot. Kjo përfshin ndryshimet që lidhen me familjen evropiane të kombeve, ndikimin e gjatë destabilizues të Rusisë në rajon, fqinjët e ish-Jugosllavisë dhe sidomos pavarësinë e Kosovës. Ajo duhej të ishte njohur nga Serbia që në vitin 2008, në vend që të merrte pas humbjen katastrofike të Millosheviqit nga qeveritë demokratike dhe të luftonte betejat që ai dhe vetëm ai i humbi në mënyrë katastrofike. /Telegrafi/