Site icon Telegrafi

Nga presioni shoqëror te kategoritë estetike: Gratë që bënë letërsi me pseudonime burrash

Ilustrim

Nga: Jola Tasellari

Akti i përdorimit të pseudonimeve mashkullorë prej shkrimtareve gra përbën një aspekt interesant në rrjedhën e zhvillimit letrar që ka provokuar vazhdimisht letërsinë deri në fundshekullin e nëntëmbëdhjetë. Mandej, shekulli i njëzet dhe njëzet e një, me tërësinë e zhvillimeve sociale me karakter feminist, duket sikur e zbehën dhe gati e zhdukën këtë fenomen, duke i dhënë grave hapësirë, medium dhe zë në arenën letrare. Ky fenomen shfaq në vetvete jo vetëm lidhjen komplekse që prej shekujsh ka ekzistuar mes gjinive, autorësisë dhe pritshmërive shoqërore, por dhe mundësitë e pamundësitë e navigimit në botën letrare, e cila vijonte të mbizotërohej prej zërave mashkullorë.

Por, a mundet shoqëria jonë sot t’i kuptojë (në mos mirëkuptojë) kushtet të cilat ndikuan lindjen dhe zhvillimin e këtij fenomeni, arsyet pas kësaj zgjedhjeje dhe nëse sot, me këtë zhvillim të rrufeshëm gjinor që po hasim, a mbetet një strategji e tillë ende e arsyeshme, apo …?

Historia e letërsisë ka dëshmuar ndër shekuj se perceptimi publik i grave si shkrimtare është formësuar prej nënshtrimit nga normat gjinore. Në shekujt XVIII dhe XIX, kur shumë nga figurat më të famshme letrare (të cilët ende cilësohen sot si zërat më të rëndësishëm të kohës) ishin në zenitin e tyre, gratë vijonin të kufizoheshin në role shtëpiake dhe nuk konsideroheshin si mjaftueshëm të afta për të zhvilluar jetën intelektuale, filozofike dhe letrare të kohës. Pyetjes se nëse ekziston koncepti i një diskursi të veçantë femëror, Simone de Beauvoir, zgjodhi t’i përgjigjej me një jo të prerë, ndonëse në kontekstin feminist. Por, historia dhe zërat e saj ndodhin të na dëshmojnë disi të kundërtën.

Fundshekulli i nëntëmbëdhjetë dhe veçanërisht ai i njëzet në Evropë dhe Amerikë u karakterizuan nga një numër i madh shkrimtaresh gra, të cilat më në fund po shijonin plotësisht lirinë e shkrimit dhe eksplorimit në botën e letërsisë, pa droje nga gjykimet shoqërore në rastin më të mirë, apo refuzimet për shkak të normave që ndër të tjera përfshinin dhe ato gjinore. Madje, kjo liri e re dhe krejt ekzotike për seksin tjetër stimuloi kësisoj edhe kureshtjen mbi një botë të ndryshme dhe të re artstike, gati sikur kishim të bënim vërtetë me një gjuhë tjetër. Ndonëse kurrsesi s’mund të jemi plotësisht të prerë, sepse ekzistojnë dhe plot shembuj pseudonimesh si ai i J. K. Rowling, e cila, megjithëse në një kontekst më modern, zgjodhi t’i publikonte romanet e saj kriminalistike me pseudonimin Robert Galbraith. Edhe pse vendimi i saj nuk ishte një reagim drejtpërdrejtë ndaj diskriminimit gjinor, thekson se, edhe në bashkëkohësi, një shkrimtare mund të ndiejë nevojën për të krijuar një identitet tjetër letrar për të pasur lirinë krijuese.

Megjithatë, inversi i këtij konteksti kulturor që kishte mbizotëruar letërsinë prej shekujsh e bëri terrenin e vështirë për gratë që të botoheshin apo t’u njihej talenti letrar. Kufizimet nuk ishin vetëm shoqërore, por edhe institucionale. Gratë përjashtoheshin nga shumë qarqe letrare, ishin gati të margjinalizuara dhe shpesh shkrimet e tyre me karakter letrar vinin për lexuesit sikur të ishin prej shkrimtarëve burra, qofshin këta familjarë realë, apo pseudonime të krijuara.

Një nga shembujt më të famshëm është ai i Mary Ann Evans, e cila shkroi nën pseudonimin George Eliot. Vendimi i saj për të përdorur një pseudonim mashkullor ishte strategjik; në atë kohë, romanet e shkruara nga gratë shpesh konsideroheshin si shumë sentimentale ose romantike, ndërkohë që veprat me natyrë më filozofike dhe realiste pritej të mbanin burra si shkrimtarë. Duke përvetësuar pseudonimin George Eliot, Evans siguroi që romani Middlemarch (1871–1872) të merrej seriozisht në fushën e kritikës intelektuale dhe letrare dhe të mos refuzohej prej kësaj të fundit.

Po ashtu, Charlotte Brontë, ndonëse nuk është aq e njohur për përdorimin e pseudonimit të saj, fillimisht i publikoi veprat e para nën pseudonimin Currer Bell. Motrat e saj – Emily si Ellis Bell dhe Anne si Acton Bell – po ashtu përdorën pseudonime kur shkruan vetë. Kjo praktikë funksionoi pjesërisht si përgjigje ndaj stigmatizimit të shkrimtareve gra dhe pjesërisht si një dritare e re nga ku mund të shkruanin pa u gjykuar dhe, në rastin më të mirë, të botoheshin dhe lexoheshin në masë.

Në shekujt XIX dhe XX, sfera publike – sidomos ajo letrare dhe intelektuale – ishte e ndarë sipas gjinive, me burrat që mbanin pozita fuqie, autoriteti dhe legjitimiteti dhe shkrimtaret gra që shpesh ishin të kufizuara në atë që konsiderohej si letërsi femërore, që sollën me vete dhe tërësinë e letërsisë rozë, siç ishin romancat apo tregimet me karakter më sentimental. Kjo ndarje dukshëm kontribuoi në thellimin e hendekun në keq-perceptimin e letërsisë së mirë, cilësore, të fortë dhe asaj që nuk ishte fare e këtillë.

Megjithatë, sot, pyetjes nëse përdorimi i një pseudonimi do të konsiderohej ende një strategji e arsyeshme në kulturën moderne letrare për gratë, do të duhej t’i përgjigjeshim me kujdes. E para sepse rrezikojmë të dalim nga koherenca me realitetin sot, dhe e dyta sepse duhet të mbajmë parasysh se bota perëndimore nuk është e mjaftueshme për të dhënë kategorikisht një përgjigje mbi këtë pyetje. Forumi Ekonomik për Botën, pasi ka analizuar të dhënat nga Biblioteka e Kongresit, shtëpi të ndryshme botuese dhe platforma të shitjeve të librave, mbërriti në përfundimin se qysh prej vitit 2020 gratë po dominojnë mbi burrat jo vetëm në shitje, por edhe në shkrime të letërsisë artistike, pa përmendur këtu punën shkencore apo libra studimorë të cilat nuk janë llogaritur prej tyre (po ashtu dhe gratë botuese janë 20 për qind më shumë se vitin 1970 dhe janë rritur me 50 për qind në vitin 2020).

Shkrimtaret gra sot kanë më shumë mundësi për të botuar sesa homologet e tyre nga dy shekujt e kaluar. Po ashtu, zhvillimi i kritikës letrare feministe, lëvizjeve të ndryshme letrare dhe fuqia e internetit dhe platformave që njihen si vetëbotuese u kanë ofruar grave mundësi të reja dhe kanë sheshuar hendeqet ekzistuese. Shkrimtare si Margaret Atwood, Zadie Smith, Elif Shafak, Han Kang dhe plot të tjera të këtij shekulli, kanë lënë gjurmën e tyre të pakthyeshme në botën letrare pa pasur nevojë për pseudonime mashkullore. Kjo për të shprehur një herë e mirë rëndësinë e faktorit kontekst kohor kur bëhet fjalë për të sjellë në vëmendje fenomene delikate të zhvillimit të letërsisë, ku bën pjesë edhe raporti i grave me krijimtarinë letrare.

 

Exit mobile version