Telegrafi

Nga PDK-ja i reagojnë Haxhiut pasi i kërkoi prokurorit të dorëzohet nga aktakuza për gazin lotsjellës

Thirrja e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndaj prokurorit Ilaz Beqiri që të dorëzohet dhe të tërhiqet nga aktakuza për gazin lotsjellës ka ngjallur reagimin e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

Këtë kërkesë Haxhiu e ka bërë në seancën gjyqësore të së premtes, pasi sipas saj mungon ekspertiza dhe faktet.

Bëhet fjalë për rastin ku ajo bashkë me deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi e Besa Baftiu, akuzohen se më 19 shkurt 2016 kanë poseduar jashtëligjshëm në Parlament nga një bombolë të gazit.

“Prandaj, ndonëse pas 7 vitesh i kërkoj prokurorit që të dorëzohet, të tërhiqet nga aktakuza. Nuk është vonë asnjëherë për të bërë një veprim te tillë”, ka deklaruar Haxhiu.

E lidhur me këtë, nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku, ka thënë se “të dorëzuar i duan të gjithë”, referuar partisë në pushtet pjesë e së cilës është Haxhiu.

“’Dorëzohu, s’është vonë’ i paska thënë prokurorit e pandehura Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë. Sepse, ashtu, të dorëzuar i duan të gjithë. Të dorëzuar i duan mjekët, mësuesit, policët, prokurorët, mediat, shoqërinë civile, opozitën”, ka shkruar ajo në Facebook, derisa ka shtuar se “kjo mendësi nuk kalon në Kosovë”.

Ndërsa, koordinatori për Drejtësi në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, deklarimin e Haxhiut e ka cilësuar si presion mbi prokurorinë.

“Ministrja që premton reforma, shfaqet në sallën e gjykatës si e akuzuar dhe bënë presion mbi prokurorinë! Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i paska bërë thirrje sot prokurorit të çështjes që të tërhiqet nga aktakuza kundër saj për hedhjen të gazit lotsjellës në Kuvend. Kjo thirrje mund të dëgjohet vetëm në vende me regjime totalitare, e assesi në një vend me aspirata për integrim evropian”, ka shkruar Gruda në Facebook.

Tutje, ai ka thënë se Haxhiu nuk duhet të harrojë se përveç se e akuzuar në këtë rast është edhe ministre e Drejtësisë.

“Një koment i tillë është qartazi ndërhyrje drejtësi dhe presion mbi organin e akuzës. Nga pikëpamja profesionale, këtë gjë është absurd ta bëjë edhe një person laik në drejtësi e lëre më një Ministre e Drejtësisë!”, ka përfunduar Gruda. /Telegrafi/